TIRANE

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e Fierit ka komentuar deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama pas Paktit me Universitetin.

Kryemadhi tha se Rama bëri shfaqje teatrale me monologun e tij, ndërsa shtoi se ai nuk plotësoi asnjë prej kërkesave të studentëve. Kryeministri Rama bëri të ditura sot 11 vendimet e qeverisë për studentët, ku miratoi 4 urdhra.

“Të gjithë e dini situatën, ku studentët shqiptarë kanë qenë për 19 ditë në protesta përballë kryeministrit. Tashmë është një protestë politike, që është apartaike. Shumë studentë nga fieri që janë këtu të pranishëm kanë qenë pjesë e asaj proteste. Studentët shkojnë në një universitet publik pasi pagesat dhe tarifat janë më të ulta. Por qeveria jonë me një kryeministër sharlatan në krye, rriti tarifat e universiteteve provimeve që kjo të bëhet e pamundur. Edhe pse tarifat kanë qenë të larta, familjet shqiptare sakrifikojnë, duke shitur shtëpinë, emigracion. Ajo çka të bën më shumë përshtypje është se sot dëgjonim një konferencë shtypi, një monolog dhe shfaqje teatrale, ku nga njëra anë kishte paralizë faciale, dehe tradhtonte fytyra. Ai thoshte se do të përgjysmojmë tarifat e studentëve. Kryeministër mashtrues dhe grabitës. Kërkon që të grabisë inteligjencën e shqiptarëve duke mashtruar. Ai duhet të ndryshojë ligjin e Arsimit të Lartë. Ky kryeministër ose është i paaftë mendërisht, por mua s’më duket kështu, pasi ai është i aftë që të grabis. ose ai mendon se shqiptarët hanë përshesh. Pjesa më e madhe e juaja, kanë fëmijët studentë. I bëj thirrje anëtarëve të LSI që ta fusin kartën në sirtar apo të hedhin flamurin e kësaj partie, që ti bashkohen protestës. Të gjithë ata që e ndejnë veten të mashtruar, të grabitur, të ofenduar, dhe të shfrytëzuar, t’ju bashkohet studentëve. Jo më datën 7 janar, por edhe grupeve të diasporës që kanë parashikuar që të protestojnë në 28-29 para Kryeministrisë”, tha Kryemadhi.

Fjala e plotë
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj sot, edhe pse pjesa juaj kryesore jeni drejtues të shtabeve elektorale të LSI për Bashkinë e Fierit. Por edhe pse është fundviti, unë mendoj që LSI duhet ta kthejë çdo minutë dhe çdo sekondë të jetës së saj në punë të jashtëzakonshme për të sensibilizuar, për të sqaruar, për të takuar me qytetarët, të cilët kanë nevojën më të madhe sot se asnjëherë tjetër për të kuptuar se çfarë po ndodh jo vetëm me jetën e tyre të përditshme, por edhe me atë çka do të vijë në të ardhmen. Ju e dini që 30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve lokale dhe Bashkia e Fierit është një nga bashkitë më të mëdha të Shqipërisë, është një nga bashkitë që do të ketë edhe angazhimin më të madh të LSI, sepse struktura e LSI është një nga strukturat më të fuqishme të Bashkisë së Fierit. Për këtë unë jam e bindur, po përveçse jam e bindur besoj te angazhimi juaj, besoj te vlerat tuaja, besoj te çdo ditë e punës suaj që keni bërë që në themelimin e LSI dhe deri më sot. Dhe ditë të tjera do vijnë, sepse të gjithë bashkë ne, duke qenë dhe duke u marrë, duke u angazhuar për ti afruar dhe për ti sensibilizuar, jo vetëm qytetarët e Fierit por kudo është puna jonë e përditshme.

Të gjithë e keni ndjekur situatën politike, ku studentët shqiptarë kanë qenë për më shumë se 19 ditë në protestë të pandalshme. Nisi si një protestë studentore ekonomike, por tashmë nuk është një protestë me kërkesa ekonomike, por është një protestë politike. Është partiake, që nuk drejtohet nga partitë politike, por është një protestë e mirëfilltë politike. Shumë studentë nga Fieri, të cilët i shoh që janë edhe sot këtu kanë qenë pjesë e asaj proteste, kanë qenë pjesë e atij angazhimi të të rinjve studentorë, të cilët për hir të së vërtetës nuk kishin absolutisht prapaskenën politike, por kishin mbi të gjitha mundin dhe djersën e prindërve të tyre, të cilët sakrifikojnë pafundësisht, luftojnë çdo ditë për të paguar shkollën e fëmijëve të tyre. Studentët shqiptarë, të cilët shkojnë në Universitetet publike nuk shkojnë në universitet private, sepse nuk e kanë mundësinë për ta paguar atë, por shkojnë në një universitet publik sepse pagesat dhe tarifat janë shumë të ulëta. Por qeveria jonë me një kryeministër sharlatan në krye, bëri një zgjidhje shumë të thjeshtë për të shkatërruar universitetet publike, për ti detyruar shtresat e mesme dhe të varfra të mos shkollojnë fëmijët e tyre, rriti tarifat e universiteteve, rriti tarifat e provimeve, në mënyrë që kjo gjë të bëhej e pamundur. Edhe pse tarifat kanë qenë shumë të larta, familjet shqiptare të varfra sakrifikojnë disa duke marrë kredi, disa duke shitur shtëpi, disa duke punuar në emigracion, apo edhe më shumë se 50% e studentëve bëjnë një ditë punë dhe një ditë shkollë, në mënyrë të tillë që të kenë mundësi të paguajnë shkollën. Tarifat e shkollës qeveria jonë i çoi baraz, apo edhe më shtrenjtë se tarifat e universiteteve private.
Ajo ç’ka të bën më shumë përshtypje, është që sot dëgjonim një konferencë shtypi të kthyer në monolog dhe në një shfaqje teatrale të kryeministrit, të cilit nga njëra anë i lëvizte gjysma e fytyrës me paralizën faciale të emocioneve të veta që po kalonte dhe nga ana tjetër kishim një fytyrë tjetër që tregonte realisht anën dhe gjenden emocionale të tij, i cili gënjente. Gënjente me pafytyrësinë më të madhe, ashtu siç është mësuar rëndomë të gënjejë në këto pesë vite. Ashtu siç ka gënjyer Parlamentin, ashtu siç ka gënjyer ndërkombëtarët, ashtu siç ka gënjyer shqiptarët, e dëgjonim teksa sot ligjëronte në konferencë shtypi se si do të plotësonte kërkesat e studentëve.
Pse e them këtë gjë? E them, sepse me paturpësinë më të madhe ky njeri jo vetëm që nuk plotësoi asnjë nga kërkesat e studentëve, por thonte do të përgjysmojmë tarifat e studentëve. Kryeministër mashtrues dhe grabitës! Kërkon të grabisë inteligjencën e shqiptarëve duke i mashtruar. Një mashtrues që kalon çdo normë! Ky kryeministër merr përsipër dhe thotë që do të përgjysmojmë tarifat, do të japim shpërblim për studentët që janë mbi mesataren 9, ose nuk do të paguajmë ata që janë nën mesataren 6, do të japim bursa për studentët e masterit, do të investojmë 3 milion euro për godina.

Mor kryeministër mashtrues! Vetëm Qyteti Studenti ka 27 godina. Një godinë minimumi kushton 3 milion euro që ta rikonstruktosh. Kë gënjen? Mor kryeministër mashtrues! Si mund të thuash ti që do të ul unë tarifat e studentëve, kur ti dy herë nuk pranove për të ndryshuar projektligjin e buxhetit për të ulur tarifat e studentëve? Si mund të gënjejë ky kryeministër, i cili thotë që do të realizojmë Kartën e Studentit për Kartën Europiane? Po si realizohet Karta e Studentit për Kartën Europiane të studentit, kur ai duhet të ndryshojë ligjin e arsimit të lartë. Si mund të thotë ky që përfshirjen e studentëve në votime me 50% e ka në dorë universiteti? Ky kryeministër ose është i paaftë mendërisht, që mua nuk më duket që është kështu sepse ai është shumë i aftë për të grabitur paratë e shqiptarëve. Është shumë i aftë për të gënjyer. Ose ky kryeministër i mendon shqiptarët që hanë përshesh dhe ky është më i mençuri nga të gjithë. Po e them këtu për t’iu sensibilizuar ju të gjithë sepse pjesa më e madhe e juaja i keni fëmijët studentë, por edhe për të dhënë një mesazh këtu nga qyteti i Fierit për të gjithë ata studentë që sot nuk janë në Tiranë por janë kthyer në shtëpitë e tyre. Për të gjithë ata studentë të Tiranës të cilët e mbajnë zjarrin e protestat nga ora 10-12 përballë Kryeministrisë, duke bërë protesta simbolike. Por e them edhe për të gjithë ata gazetarë dhe për të gjitha ato media të cilat merren me fasadën e deklaratave të Edi Ramës dhe nuk merren me thelbin.

Edi Rama gënjen. Gënjen ashtu siç ka gënjyer në gjithë këto vite. Edi Rama gënjen për kërkesat e studentëve ashtu siç gënjeu kur tha që do ta ulë TVSH-në e energjisë elektrike nga 20% në 6%. Të më thotë njëri nga ju nëse në faturën e energjisë elektrike TVSH-në e ka 6% dhe nuk e ka 20%. Edi Rama gënjeu kur tha që do të ulë TVSH-në për ushqimet e shportës, për bukën, për vajin, për sheqerin, orizin e miellin. Dhe nuk i ka ulur. Edi Rama gënjen edhe për kërkesat e studentëve ashtu siç gënjeu për 300 mijë vendet e reja të punës. Të cilat jo vetëm që nuk i hapi 300 mijë vende pune, por po i mbyll vendet e punës dhe përveç kësaj po i detyron shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Dhe vetëm në vitet e fundit kanë ikur më shumë se 400 mijë të rinj dhe të reja nga Shqipëria.

Edi Rama gënjen kur thotë që unë nuk punoj për oligarkët. Ne e dimë shumë mirë që 46% e buxhetit të shtetit, të taksave që paguajnë shqiptarët, shkon për një grusht njerëzish. Dhe gënjen kur thotë që do të plotësoj kërkesat e studentëve. Edi Rama ka gënjyer në të gjithë historikun dhe karrierën e tij politike dhe vazhdon të gënjejë përsëri sot e kësaj dite. Të gjithë keni dëgjuar për 11 kërkesat e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kërkojnë pagën e 13. E kanë në kontratë pune. Të njëjtën gjë po bëjnë infermierët në QSUT. Dhe menjëherë pushojnë nga puna kryetarin e Shoqatës së Infermierëve, vetëm e vetëm se me kontratë të nënshkruar kanë të drejtën që duhet të marrin pagën e 13.
Ky njeri ka një problem shumë të madh me shqiptarët. Ky njeri i konsideron shqiptarët një tufë delesh dhe ky është luani që duhet t’i drejtojë ato dhe mund t’i shqyejë sipas dëshirës së tij. Por harron vetëm një gjë. Që sot nuk mund të ndodhi ajo që ka ndodhur deri në këtë ditë. Harron që shqiptarët nuk kanë për t’ia falur, sepse nuk ka njeri që mund të fali për jetën e fëmijëve të vet. Dhe nuk ka njeri sot që t’i kushtojë vëmendje Edi Ramës duke shkatërruar të ardhmen e fëmijëve të tij.

Dua të ndalem pak për qytetin e Fierit, ku jeni viktimat më të mëdha të papunësisë. Ku Fieri është një nga qytetet më të pasura të Shqipërisë. Ku Fieri prodhon arin e zi dhe prej vitesh ka qenë një nga qytetet kryesore jo vetëm për sa i përket ekonomisë dhe biznesit, por ka qenë një nga qytetet kryesore dhe për sa i përket krahut të punës dhe forcës punëtore në sektorin e naftës. Ashtu sikurse nafta ka qenë një nga sektoret kryesore jo vetëm të punësimit, por ka qenë edhe burim i ekonomisë shqiptare.
Sot naftëtarët shqiptarë vazhdojnë dhe sorollaten nëpër dyerve të shtetit shqiptar për të marrë statusin e naftëtarit. Dhe ne shikojmë shumë mirë sesi marrin krushqitë e drejtuesve të Partisë Socialiste statusin e naftëtarit që skano punuar asnjë ditë në naftë. Dhe nuk e merr statusin ai naftëtar i cili ka punuar më shumë se 25 apo 30 vite. Shikojmë sesi sorollaten dyerve të ministrive dhe vetëm 20 metra larg është Edi Rama për t’i takuar naftëtarët. Por nuk pranon t’i takojë live, por pranon që ta bëjë nëpërmjet një konference dixhitale.

Nuk po futem më në historinë e bujqësisë, ku pjesa më e madhe e fushës së Myzeqesë, mbijeton nëpërmjet prodhimeve bujqësore, të cilat i eksportojë. Por si mund të konkurrojnë në tregun evropian apo dhe rajonal fermerët e Fierit, ku domatja, speci dhe sallata del më shtrenjtë se çdo vend tjetër. Sepse jo vetëm që nuk subvencionohen prodhimet e bujqësisë, por përkundrazi vuajnë, rraskapiten dhe robtohen.
Unë do t’iu përmend vetëm një fakt, e përmend gjithmonë dhe dua ta përmend herë pas here. Sepse të gjithë thonë po mirë se Ministrinë e Bujqësisë ju e keni patur. Po, dhe në vitet që Ministria e Bujqësisë drejtohej nga LSI, eksporti i prodhimit vendas është 10 fishuar në krahasim me eksportin në vitet më përpara. Edhe pse buxhetin e shtetit Edi Rama për sa i përket subvencioneve e uli në minimum, ashtu si nuk kanë qenë asnjëherë në jetën e vet, ne patëm një rritje të prodhimit vendas dhe eksportit të tyre. Sot ne shikojmë që i gjithë subvencioni që kalon nga buxheti i shtetit për bujqësinë, jo vetëm që nuk shkon në ndihmë të fermerëve, por shkon në xhep të një grushti njerëzish të cilët janë shumë të pasur dhe fermerët e varfër detyrohen që të shkojnë të marrin kredi me interes për të vazhduar bujqësinë.

Ku ta kapësh dhe ku ta lësh situatën që kanë shqiptarët sot. Çdo ditë dhe më keq bëhet. Çdo ditë dhe shqiptarët më të varfër. Pagat nuk rriten, taksat dhe shpenzimet rriten. Mundësitë për t’u punësuar dhe për të hapur biznese të reja zvogëlohen çdo ditë e më shumë. Më shumë mbyllen biznese të vogla e të mesme. Dhe çfarë lulëzon? Lulëzojnë kompanitë e mëdha të cilat jo vetëm që nuk paguajnë taksa mbi buxhetin e shtetit, por edhe iu falen në mënyrën më kriminale dhe të tmerrshme të cilët kalojnë në një seancë të falsifikuar. E cila sot ka pasur një denoncim dhe një padi penale nga dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së në Prokurorinë e Përgjithshme, ku duhet të hetohet sesi deputetët e Partisë Socialiste falsifikuan jo vetëm mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Falsifikuan procesverbalin e mbledhjes. Falsifikuan regjistrimin në protokoll të dokumentacioneve dhe mbi të gjitha falsifikuan dhe rendin e ditës së parlamentit, sepse që të jem edhe më e qartë, në Parlament rendi i ditës miratohet në fillim të seancës, dhe gjatë seancës nuk mund të futësh një votim, qoftë në procesin e votimit, qoftë edhe në periudhën e diskutimeve.

Pra ditën e enjte në datë 20, falsifikimi ka ndodhur nga Kryetari i Parlamentit, z.Ruçi dhe më pas e gjithë piramida drejtuese e Parlamentit dhe e administratës së Parlamentit. Ka kaq shumë gjëra që duhen përmendur, ka kaq shumë gjëra që duhen thënë, që për hir të së vërtetës e bëjnë shumë të vështirë situatën në të cilën gjenden shqiptarët. Unë kudo ku kam dalë nëpër rrethe, u kam kërkuar të gjithë anëtareve të LSI të fusin në sirtare flamurin e LSI, ta hedhin edhe po të jetë nevoja kartën e anëtarësisë dhe mendoj që është shumë e rëndësishme për t’ju bashkuar atyre studentëve, të cilët pas konferencës së shtypit të Edi Ramës e bën shumë të qartë, qofshin këto struktura politike, qofshin këto struktura jopolitike, qofshin këto organizata studentore apo organizata joqeveritare, të cilat e qartësuan shumë mirë qëndrimin e tyre përsa i përket plotësimit të tetë kërkesave të tyre, vazhdimin e protestës së tyre. Prandaj edhe unë ju kërkoj sot, që secili nga ju e ndjen veten të mashtruar, e ndjen veten të grabitur, secili nga ju që e ndjen veten të ofenduar, të fyer dhe të shfrytëzuar nga Edi Rama t’ju bashkohet studentëve. T’ju bashkohet studentëve jo më datën 7 Janar, por tju bashkohen edhe grupeve të diasporës që kanë ardhur për të protestuar në datat 28-29 dhe 30 Dhjetor në orën 14.00 përpara kryeministrisë. Pse duhet bërë kjo? Duhet bërë kjo për ti treguar Edi Ramës që kur shqiptarët janë bashkë i kanë shanset për të fituar. Studentët kanë një parullë shumë të thjeshtë: Studentët e bashkuar, kanë fituar! Ashtu si studentët e bashkuar e kanë detyruar Edi Ramën të bëj monologje me veten e tij, unë jam e bindur që edhe shqiptarët e bashkuar kanë për ta detyruar Edi Ramën që të plotësojë kërkesat e tyre, duke filluar që me kërkesat e studentëve, duke vazhduar me kërkesat e naftëtarëve, me kërkesat e minatorëve, me kërkesat e fermerëve, me kërkesat e biznesit të vogël dhe të mesëm, me kërkesat e shtresës së mesme. Sepse Edi Rama grushtit të njerëzve të vetë ja u bën 8% taksën për të paguar, ndërsa shtresës së mesme, punëtorëve ja u bën taksën 23% mbi të ardhurat. Kjo jo vetëm që është vjedhje, por kjo është dy standarde. Sepse Edi Rama këtë ka krijuar, dy standarde. Drejtësi të dyfishtë. Drejtësi që fal fëmijët e deputetëve dhe njerëzit e Edi Ramës, dhe drejtësi që fut në burg fukarain që nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike. Drejtësi që fal oligarkët dhe klientët e Edi Ramës dhe drejtësi që fut në burg ata që nuk nxjerrin një faturë tatimore për ta vendosur në tavolinën që shitet një kafe apo një shishe uji. Ashtu siç ka drejtësi të dyfishtë, ashtu ka bërë edhe shëndetësi të dyfishtë. Shëndetësi falas dëgjuam që na u premtua nga Edi Rama, por kemi shëndetësinë më të shtrenjtë sot në rajon. Kemi dëgjuar arsim falas nga Edi Rama, por nuk kemi arsim falas, kemi arsimin më të shtrenjtë. Kemi një arsim, për të cilin Edi Rama ja u merr nga dy herë paratë familjeve shqiptare. Njëherë ja u merr me pagesën e energjisë elektrike, ku çdo familje shqiptare paguan nga 5 mijë lekë të vjetra në muaj, dhe nga ana tjetër ja u merr nëpërmjet taksave dhe tarifave. Problemi i Reformës në Arsim, të cilin ne e diskutojmë dhe që e themi ku shqiptarët e paguajnë çdo muaj nga pesë dollarë, Edi Rama ja u merr përsëri nëpërmjet tarifave dhe taksave në Universitet. Por jo vetëm në Universitet, ja u merr edhe në shkollat e mesme. Sa prindër nga ju ka që paguajnë për rojet e shkollës, sa prindër nga ju ka që paguajnë për ekskursionet e shkollës, sa prindër nga ju ka që paguajnë për të lyer muret e shkollës, madje jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat 9-vjeçare si dhe në kopshte dhe në çerdhe. Sa prindër nga ju ka që paguajnë para nën dorë për ti vendosur fëmijët dhe për ti rregjistruar në shkollat që u takojnë për ti regjistruar. Sa fëmijë ka që vendosen përballë presionit të mësuesve në gjimnaze për shkak të bindjeve të tyre politike. Sa fëmijë ka të cilët ndihen të kërcënuar sepse nëse marrin pjesë apo janë kundër mendimit të drejtoreshës së shkollës kërcënohen me mesataren e shkollës, që nesër pasnesër të kenë mundësinë e kualifikimit në universitete. Mos të shkojmë më në sistemin tjetër parauniversitar, në sistemin tjetër parashkollor apo edhe në atë të 9-vjeçares, i cili jo vetëm është i kalbur, por çdo ditë e më shumë po shikojmë mësues militantë politikë, kamikazë politikë të Edi Ramës, të cilët jo vetëm që nuk mësojnë fëmijët tanë, por i kërcënojnë, i intimidojnë, i ngatërrojnë vellezerit Frasheri me Ismail Qemalin. Ky është arsimi i sotëm i Edi Ramës, i cili u ka ofruar sot fëmijëve të shqiptarëve. Sepse një popull dhe një komb i pashkolluar, është shumë i kollajshëm për t’u nënshtruar dhe për t’u shfrytëzuar. Mund të zgjatem pafundësisht për të folur për problemet e Edi Ramës, por do të doja ta mbyllja me disa mesazhe shumë të thjeshta për anëtarët e LSI-së, për anëtaret e LGI-së dhe për LRI-në të Bashkisë së Fierit.
Mendoj që nuk kemi më çfarë të presim! E di shumë mirë që Bashkia e Fierit është elektorat i majtë. Nuk është vetëm Bashkia e Fierit e majtë, shumica e vendit është e majtë. Është e majtë për shkak të varfërisë ekonomike që ka.

Nuk ka të pasur Shqipëria. Nuk ka pasur asnjëherë të pasur Shqipëria. Shqipëria ka pasur vetëm njerëz me botë shpirtërore të pasur. Por njerëz të pasur në pasuri dhe në para nuk ka pasur asnjëherë. Ai që ka pasur para ka qenë i varfër në shpirt. Ka qenë i varfër në shpirt dhe ka dashur të varfërojë dhe të tjerët. Prandaj do t’jua kërkoj me dorë në zemër, për gratë në radhë të parë dhe për vajzat: Duhet të zgjohemi, sepse kemi vetëm një rrugë për të mbijetuar dhe janë familjet tona. Vetëm një familje e fortë, me fëmijë të shkolluar, me fëmijë që duan dhe respektojnë prindërit, familjen, që duan dhe respektojnë institucionin dhe shtetin, ne mund të kemi të ardhme si shoqëri. Ju bëj thirrje të rinjve, merrni fatet tuaja në dorë! Mos lejoni që njerëz që duan të përfitojnë nga fatkeqësia apo nga sinqeriteti i rinisë shqiptare, ta përdorin për të fituar dhe për t’u pasuruar ata për vete. Merrni fatet tuaja në dorë, sepse vetëm në këtë mënyrë do ti jepni dërrmën, jo vetëm Edi Ramës, por çdo njeriu që do të kërkojë të sillet si Edi Rama për t’ju manipuluar dhe për t’ju shfrytëzuar për interesat e tij.

Ju bëj thirrje baballarëve të këtyre të rinjve, mos i lejoni fëmijët tuaj të hedhin valle në gojë të ujkut përballë Edi Ramës. Por bashkohuni me ta, suportojini ata, ti ndihmojmë në mënyrë të tillë që ata të kenë një arsim më të mirë, të kenë një të ardhme të sigurt, të kenë vende pune të sigurta, të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre dhe në familjet e tyre ashtu siç i kemi ndërtuar ne.
Vetëm duke qenë të gjithë së bashku, vetëm duke u sensibilizuar dhe duke thënë që ne jemi të gjithë njëlloj, mund ta ndryshojmë këtë realitet. Këtë realitet që Edi Rama e ka kthyer në një shije të hidhur jo vetëm për ne shqiptarët që jemi këtu, por edhe për të gjithë ata që jetojnë jashtë, sepse nëse ne do të kemi një vend të varfër, një shtet të varfër, pa institucione, të kapur nga krimi dhe nga trafiku i drogës, do të jetë shumë e vështirë për ta administruar për të gjithë ata shqiptarë që janë jashtë shtetit. Ata kanë krijuar të ardhmen e tyre, kanë krijuar familjet e tyre jashtë, por kanë nevojë që flamuri ynë kombëtar të valëvitet me krenari.

Prandaj unë iu a kërkoj sinqerisht angazhimin tuaj për t’u përfshirë në protestat jo vetëm të studentëve, por për të sensibilizuar dhe për të trokitur në çdo derë. Për të sensibilizuar në radhë të parë socialistët e ndershëm të PS-së, të cilët një grup kriminelësh dhe sekt kriminelësh i kanë grabitur partinë dhe drejtimin e saj. Për të trokitur në derën e demokratëve dhe për ti zgjuar dhe ata. Në derën e republikanëve, të çamëve dhe kudo. Pse e them këtë? E them këtë, sepse vetëm të gjithë bashkë ne mund ta ndryshojmë këtë realitet të hidhur. Harrojeni politikën, mendoni për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria sot është partia më e madhe politike. Nuk ka parti politike me flamuj politikë, ka vetëm një flamur, flamuri kombëtar dhe e vetmja mënyrë për ta shpëtuar është që të jemi të gjithë së bashku. Duke iu uruar festat e fundvitit, duke iu uruar mbarësi në familjet tuaja, duke iu uruar që Zoti t’ju bekojë familjet tuaja dhe çdo gjë që ju doni dhe e keni për shpirt, më lejoni që t’ju jap urimin më të mirë për 2019, i cili do të jetë një vit i vështirë ekonomikisht, por nëse ne do të jemi të gjithë bashkë siç jemi sot edhe me të tjerë, do të jetë një vit shumë i lehtë politikisht, për të larguar një të keqe shumë të madhe, e cila po i merr frymën Shqipërisë.
Zoti iu ruajtë ju dhe familjet tuaja!

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: