TIRANË-Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka reaguar në Facebook pas akuzave të Ministrit Sajmir Tahiri në lidhje me shpërthimin në Gërdec. 7 vjet pas shpërthimit në Gërdec Tahiri thotë se ish- Ministri Mbrojtjes vijon të mos gjykohet. Në reagimin e tij Mediu thotë se Tahiri sillet si gjyqtar dhe hetues, ndërsa merr në mbrojtje vrasësit dhe nuk bën kallëzim. Më tej Mediu është shprehur se PD ka bërë kallëzim penal ndaj Sajmir Tahirit, ndërsa thotë se ai duhet të japë dorëheqjen. Mediu rendit edhe 7 pyetje që sipas tij Tahiri duhet tu japë përgjigje.

Më poshtë statusi i plotë i Fatmir Mediut në Facebook:

‘’Te dashur miq!
Sot ka folur edhe Sajmir Tahiri.
Ky njeri i papërgjegjshëm, Ministër i Brendshëm qe rri gjithë ditën me kriminele dhe trafikante, njeri i cili jashte çdo norme ligjore dhe morale, ulet me vrasës te prezumuar, pi kafe, i fton ne zyrën e tij dhe i merr ne mbrojtje, nuk bën kallëzim siç e kërkon Kodi i Procedures Penale. Sillet si hetues dhe gjyqtar, i bindur te zbatoje çdo urdhër dhe te shkel çdo ligj.
Për te, PD ka bere një kallëzim penal, prandaj po pati minimumin e korrektesës politike, duhet te japë dorëheqjen dhe te ndiqet penalisht si njeri i thjeshte dhe te mos fshihet mbas postit te Ministrit apo hijes se Kryeministrit, duke i bere presion prokurorisë.
Ka një ndryshim te madh mes nesh, unë mora përgjegjësitë e mija politike dhe morale dhashë dorëheqjen dhe lashë imunitetin. Te paktën Tahir bej kaq..
Sajmir Tahiri duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve;
1- Pse e fshehu krimin për 6 muaj?
2- Pse e arrestoi Bamin mbas 6 muajsh dhe jo kur i rezultoi mashtrues?
3-Pse nuk beri kallëzim penal sipas detyrimit te Kodit te Proçedures Penale, Neni 281 per Bamin? Kush e urdhëroi?
4- Pse nuk lejoi Drejtorin e Përgjithshëm Didin, si autoriteti me i larte i Policisë Gjyqësore, te bente ndalimin e Bamit dhe t’i kërkonte Prokurorit hetimin sipas ligjit? Çfarë donte te fshihte?
4-Pse e ndaloi Bamin ne kufi, me çfarë akuze dhe perse e mban ne burg kur qenka thjesht një aktor mashtrues?
5- Pse doli tre dite me vonese ne konference shtypi, mbasi Bami u mbajt ne paraburgim dhe ndryshoi dëshminë e tij?
6- A mundet një Ministër i Brendshëm te thotë se prita çdo te bënte Opozita prandaj nuk dola me pare, çfarë fshehu dhe manipuloi Tahiri para konferencës se shtypit?
7- Pse Sajmir Tahiri ne kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale beri publike regjistrime te hetimit dhe emrat e personave qe nuk ishin marre te pandehur?
Këto përgjigje e shume te tjera Tahiri t’i japë përpara Prokurorisë, jo si Ministër por si qytetar i thjeshte.”-përfundon statusin Mediu.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb