TIRANË

Për kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, gazetarin Robert Rakipllari figurat politike duhet të vlerësohen për qëndrimet që mbajnë në pushtet e jo në opozitë.
Duke iu referuar deklaratave të ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për zhvillimet në KZAZ në Shkodër, ku tha se demokratët nuk i vënë flakën shkollave e nuk tremben nga zgjedhjet, Rakipllari tha në “Dritare me Rudinën” në News24 se në Shqipëri ka shumë politikanë me dy standarde.

“Mendoj se figurat politike më shumë vlerësohen se çfarë qëndrimesh mbajnë kur janë në pushtet jo kur janë jashtë shërbimeve. Më thoni çfarë qëndrimi ka mbajtur kur u vranë 4 vetë në Bulevard po për Gërdecin çfarë qëndrimi ka mbajtur? Politikanë që kanë 2 standarde ka shumë. Kur je në opozitë i bën mirë, kur je në pushtet…”, tha Rakipllari.

Ndërsa për kreun e Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, bëhet fjalë për një lexim që Topalli i bën situatës në Shkodër si shkodrane. Ai tha se këto situata e çojnë Shqipërinë në një zgrip të tmerrshëm.

“Këto janë kampione situate që e çojnë Shqipërinë në një zgrip të tmerrshëm. Procesi i 30 shtatorit i dështuar në mënyrë totale. Edhe sikur palët të bien dakord zgjedhjet që mund të jenë në vjeshtë do jenë po kaq të shëmtuara. Për mua 5 persona janë përgjegjës për situatën, është Presidenti, kryetari i shumicës, kryetari i opozitës pastaj parlamenti dhe politikanët që kanë determinuar skenën politike përfshirë dhe ish-kryeministrin Berisha. Po e nxjerrin atë që quhet politika institucionale nga të gjitha shinat e mundshme”, deklaroi Çipa.

Ndërkohë ish-ministri Arben Ahmetaj tha se maxhoranca dhe kryeministri ka bërë disa herë thirrje për dialog.
“Të vish e të thuash s’kemi përgjegjësi. Çdonjëri ka përgjegjësi nga ata që kanë drejtuar vendin. Në finale këta janë vendimmarrësit.
O do kemi shina institucionale dialog, ose djegie në thonjëza kartonësh e pastaj distancim. Imagjinoni sikur në 2021 të dalë PS e të thotë nuk duam zgjedhje me Saliun, o të ikë o nuk hyjmë në zgjedhje. Nuk është normale, se kemi bërë kurrë. Ftesën për dialog e kemi bërë ne. Presidenti ka zhdekretuar datën dhe nuk ka caktuar datë tjetër. E ka bërë këtë pa konsultim. Kjo është të promovosh krizën”, deklaroi Ahmetaj.

Gazetari dhe kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Erl Murati tha se në vend nuk ke institucione duke iu referuar mungesës së dy gjykatave.
“Edhe unë nuk jam për zjarrin. Po këtu nuk ke as gjykatë kushtetuese, nuk ke as gjykatë të lartë, nuk ke as prokurori. Këtu Neës24 e Zëri i Amerikës nxori që iu dhanë 30 mln euro një kompanie fantazmë dhe nuk ka asnjë shkarkim. Si është më mirë të ketë përplasje civile apo të bëhen zgjedhjet në shtator apo tetor?”, tha Murati.

Ahmetaj theksoi se palët janë në distancë por se maxhoranca ka bërë përpjekje për dialog në vazhdimësi.
“Prandaj kemi bërë ftesë për dialog. Palët janë në distancë por një gjë është e sigurt, përpjekja që ka bërë maxhoranca për dialog në vazhdimësi. Është qytetar me të drejtat e veta, secili mban kryqet e veta në kurriz. Po flasim për politikën, kryetari i opozitës duhet të vijë në dialog”, deklaroi Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb