TIRANË- Pas mbledhjes me deputetët socialistë të të gjitha qarqeve kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë për mediat, ku i është përgjigjur interesit të gazetarëve për disa çështje të rëndësishme. Një prej tyre kishte të bënte edhe me deklaratat që kryeministri Rama bëri gjatë një intervistë televizive për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe reagimet që erdhën nga ndërkombëtarët në lidhje me këtë çështje. I pyetur nga gazetarët nëse e shqetësojnë vërejtjet nga Brukseli dhe SHBA, shefi i qeverisë ka mbajtur një qëndrim të prerë duke thënë “Fare”.

Në një intervistë televizive, kryeministri tha se Shqipëria dhe Kosova “do të bashkohen në mënyrën klasike në qoftë se Bashkimi Evropian nuk hap rrugë për integrimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave”. Pas këtyre deklaratave pati një reagim nga ana e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se nuk do të ketë “bashkim klasik”. Më pas ­ishte Maja Kocijançiç zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Komisionit Evropian, Frederica Mogherini e cila dënoi komentet e Ramës. Kocijançiç tha se provokimet janë të papranueshme, në një kohë që kërkohet bashkëpunim rajonal dhe përparim për integrimin evropian. Gjithashtu edhe një zëdhënës i ambasadës së SHBA, i pyetur nga VOA tha se të gjitha vendet që synojnë integrimin evropian, duhet të qendrojnë larg gjuhës që nuk çon para këtë perspektivë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: