Ministrja britanike për Irlandën e Veriut, Karen Bradley, ka kërkuar falje të enjten për deklaratat e saj se vrasjet nga forcat britanike të sigurisë gjatë konfliktit sektar 30-vjeçar, në Irlandën e Veriut “nuk kanë qenë krime”.


Ajo ka folur një javë para se prokurorët publikë të Irlandës së Veriut të vendosin nëse ushtarët që kanë vrarë 14 protestues të paarmatorusr më 1972,  duhet të akuzohen për vrasje apo vepra tjera të ngjashme.


Në këtë zonë ka ekzistuar një konflikt mes protestantëve dhe Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), që ka zhvilluar një fushatë të përgjakshme për t’i dhënë fund rregullit britanik, duke kërkuar bashkimin e provincës me Irlandën katolike.


Bradley ka thënë para ligjvënësve britanikë të mërkurën që “më shumë se 90 për qind e vrasjeve janë kryer nga terroristët” dhe se “më pak se 10 për qind, që janë kryer nga ushtria dhe policia, nuk kanë qenë krime”. Mirëpo pas kritikave për këto deklarata, ajo ka thënë të enjten se “fjalori ka qenë gabim dhe ndonëse nuk është bërë me qëllim, ka qenë shumë i ndjeshëm për të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre”.

“E di nga familjet që kam takuar personalisht se sa e rëndë është dhimbja e tyre dhe unë e kuptoj plotësisht se ata duan që drejtësia të vihet në vend”, ka thënë Bradley. Më 2014, Irlanda dhe Britania janë pajtuar se hetimet për vrasjet kriminale dhe supozimet për sjellje të keqe të zyrtarëve policorë duhet të kryhen nga një trup i pavarur.