TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton të gjithë tatimpaguesit se nisur nga shqetësimet e paraqitura për vonesat në deklarime dhe pagesat e detyrimeve tatimore për periudhën Dhjetor 2014, të cilat rrjedhin për shkak të fillimit të punës së sistemit të ri elektronik të tatimeve, nuk do të aplikojë gjoba e kamatëvonesa për shlyerjen e tyre deri në një afat tjetër të përcaktuar.

Kështu për të gjithë deklarimet dhe pagesat e detyrimeve tatimore që lidhen me TVSH-në, tatimin mbi të ardhurat në burim, taksat dhe tarifat nacionale, lojërat e fatit, renta minerare të periudhës dhjetor 2014, që do të kryhen brenda datës 22 janar 2015, nuk do të aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa.
Kurse për deklarimin dhe pagesat e detyrimeve që lidhen me kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi të periudhës dhjetor 2014, që do të kryhen brenda datës 27 janar 2015, nuk do të aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa.
Këtu përfshihen edhe deklarimi dhe pagesa e Kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe Tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për tatimpaguesit e Biznesit të vogël të cilët deklarojnë dhe paguajnë për 3-mujorin Tetor-Nëntor-Dhjetor 2014.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: