Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton gjithë rezidentët në Shqipëri, që përfitojnë të ardhura me burim brenda dhe jashtë vendit, në shumën mbi 2 milionë lekë në vit se janë të detyruar të paraqesin deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda datës 30 prill.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 milionë lekë.

DPT sqaron gjithashtu se, individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit; nga dividenti; nga qiraja; nga
fitimi kapitali nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit; nga interesat bankare; nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme.

“Deklarimi duhet të bëhet për shumën bruto të fituar nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit; nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; fitimi kapitali nga dhurimi; të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart”, sqarohet në njoftimin e DPT.

Por në rast se plotësoni në mënyrë të pasaktë deklaratat individuale vjetore të të ardhurave mund të ketë penalitete, shton DPT.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb