TIRANË- Pak ditë pasi deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj deklaroi se do të ndërmerrte një nismë ligjore për të shënuar çdo film apo libër të botuar para vitit 1990 ka reaguar ashpër deputetja socialiste Elisa Spiropali.

Në një status në “Facebook”, Spiropali e quan demokrat me mendësi totalitare prej inkuizitori Alibeajn dhe e krahason me Mao Ce Dunin.

Ajo thotë se kjo gjë që ka kërkuar Alibeaj është krejt njëlloj sikur popullit t’i vësh damkën e budallait.

STATUSI I SPIROPALIT
Demokrati me mendësi totalitare prej inkuizitori mesjetar, Enkelejd Alibeaj, po kërkon hiç më pak se të mësojë shqiptarët si të lexojnë librat, si të dëgjojnë muzikën, si të këqyrin pikturat e skulpturat.
Është akti më idiot, më i turpshëm, më grotesk, që një politikan shqiptar ka bërë gjatë krejt historisë sonë. Është krejt njëlloj sikur popullit t’i vësh damkën e budallait.
Demokrati me mendësi aventuroze që do të bëjë propagandën e sotme me librat e djeshëm, megjithatë e ka një farë vlere; Gjithkujt prej shqiptarëve të sotëm që dëshiron të dijë çfarë ishte komunizmi i pashpirt, diktatura çnjerëzore, propaganda, vigjilenca proletare, lufta e klasave, i mjafton të dëgjojë çfarë thotë për librat dhe artin ky demokrat me mendësi prej censori, e pjesëton me dhjetë, dhe ka mbaruar punë, për diktaturën di gjithçka.
Çfarë kërkon të bëjë me librat ky aparatçik, është më zi se çfarë kanë bërë me librat, inkuizicioni, Mao Ce Duni, diktatori shqiptar, dhe të tjerë, të cilët nuk kanë guxuar të mësojnë askënd si të lexojë, ata, përmes një ushtrie me censorë dhe redaktorë, librat e padëshiruar thjesht i digjnin ose i shndërronin në karton.
Të njëjtën gjë do të bëjë edhe ky Nëpunës i Pallatit të Ëndrrave të Bashës, por në një mënyrë pakrahasimisht më të shëmtuar, më burracake; me moralizime, komisione, komitete, ligje.
Të duash të dalësh nga bataku politik me shtojca moralizuese gjoja shpjeguese mbi libra, më keq se kaq shqiptarët nuk ka guxuar t’i ofendojë kurrë askush.

NISMA E PD
Prej shtatorit të vitit të kaluar, Partia Demokratike po punon për një ligj të plotë për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Ky ligj i është dorëzuar për mendim Fondacionit gjerman Conrad Adenuer, ndërsa sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, synim është vendosja e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar diktaturën komuniste, pa përjashtuar asnjë film apo libër, përfshi edhe ata të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë, Ismail Kadare.
Në sesionin e ri, pritet që në Kuvend të dorëzohet një nismë e plotë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb