TIRANE-Dy ditë pas vizitës së presidentit turk Taip Erdogan në Tiranë, mediat vazhdojnë polemikat në lidhje me deklaratat e tij dhe takimet me krerët më të lartë të vendit.

Së fundi vëmendja është përqendruar tek pritja e presidentit Erdogan nga presidenti Bujar Nishani në Pallatin e Brigadave, ku në pamje shihet qartë se në ceremoninë e dekorimit të Erdogan, mungon busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, udhëheqësi i luftës 25-vjeçare shqiptare kundër pushtimit turk.

Nuk dihet nëse heqja e bustit ka ndodhur kohë më parë, apo ka lidhje me praninë e Erdoganit. Por nga një kërkim i thjeshtë, rezulton se një vit më parë, në të njëjtën sallë ka qenë mysafir presidenti i Italisë. Siç shihet edhe në pamje, në ceremoninë e 5 marsit 2014, kur kreu i shtetit dekoroi homologun e tij italian Giorgo Napolitano, busti madhështor i Skënderbeut qëndron në krye të sallës, pranë 2 presidentëve. Interesimi ynë për të mësuar nga presidenca në lidhje me këtë çështje, nuk mori asnjë përgjigje.

PRESIDENCA: BUSTI NUK ËSHTË HEQUR, ISHTE NË SALLËN KRYESORE
Burime nga Presidenca sqarojnë se busti i Skënderbeut nuk është hequr. Sipas Presidencës busti i Heroit tonë Kombëtar ndodhet në sallën kryesore, aty ku u bë edhe darka. Ndërsa ceremonia e dekorimit sqaron Presidenca u bë në sallën aneks.“Ceremonia e dekorimit u zhvillua në sallën (aneks) ngjitur me sallën e darkës përpara saj. Busti qëndron gjithnjë tek salla ku u dha darka pasi ajo është salla kryesore me emrin Skënderbej. Me Napolitanon ceremonia e dekorimit u zhvillua tek salla kryesore pasi nuk kishte dreke pas dekorimit.”- sqaron Presidenca.

(m.k/a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb