TIRANË- Deputeti i PD-së Klevis Balliu e ka quajtur një akt të turpshëm dhënien e titullit “Qytetar nderi” autorit të plagosjes me 5 plumba të Azem Hajdarit. Në një status në “Facebook”, Balliu thotë se s’ka turp më të madh dhe se ky është është fyer për familjen e heroit të demokracisë, PD-në dhe popullin shqiptar.

“PS e Ramës vret për herë të dytë Azem Hajdarin. S’ka TURP më të madh se sa dekorimi i Gafurr Mazrekun nga Edvin Kristaq Rama.
Është një akt i turpshëm dhe fyes për familjen e Heroit të Demokracisë, Partinë Demokratike dhe vetë popullin shqiptar.
Nisma e socialistëve në Has, e cila në fakt shpreh degradimin e PS dhe vetë Edi Ramës, tregon që PS e ka të pamundur të ndahet nga mendësia e saj komuniste. Bijtë e etërve komunistë nuk dinë të jenë ndryshe”, shkruan Balliu.

Klevis Balliu

Gafur Mazreku, i cili vuajti 5 vite burg për plagosjen e Azem Hajdarit u shpall sot “Qytetar Nderi” i Hasit me motivacionin “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. Për këtë akt, PD ka shprehur që në fillim kritika duke akuzuar si urdhërues kryeministrin Edi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb