Zëdhënësja e kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka reaguar pas akuzave dhe ultimatumit të kryedemokratit Lulzim Basha për ministrin e ri të Brendshëm të sapoemëruar nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që Basha tha se “Xhafaj nuk do e kalojë pragun e ministrisë së Brendshme pa kaluar mbi trupat tanë”, Spiropali deklaron se Presidenti i vendit nuk duhet të shkojë pas kësaj “marrëzie”.

Reagimi i saj ka ardhur ndërkohë që pritet dekretimi i 4 ministrave të rinj, mes tyre edhe Xhafajt nga Presidenti Bujar Nishani. Në “Orën e Intervistës” në Ora News, zëdhënësja e Kryesisë së PS, njëkohësisht dhe Sekretare për Rininë, thotë se Basha po del tej kompetencave të tij.
Spiropali
“Basha po mban mbi shpatulla shumë premtime, ultimatume, duket sikur po flet me zë të lartë në çadër, në errësirë, për ti dhënë kurajo vetes dhe të tjerëve që e ndjekin nga pas. Por nuk i takon zotit Basha, nuk është ai që vendos, nuk është ai që emëron Ministrat, nuk është qeveria e tij, nuk i ka marrë votat PD për të qeverisur. Kemi një mazhorancë shumë të qartë, kemi numrat, ligjet, Kushtetutën e Shqipërisë e cila tregon qartë sesi mandatohen dhe do të ishte shumë e këshillueshme që Presidenti i Republikës, me gjithë respektin, të mos e ndjekë zotin Basha në këtë marrëzi por të respektojë Kushtetutën e vendit dhe të lejojë formimin normal, dekretimin normal të qeverisë së re”, tha ajo.

Spiropali shtoi se në zgjedhje do të hyhet sepse “shqiptarët nuk e meritojnë krizën politike, problemet e tyre personale, të vogla politike, apo llogaritë që kanë me drejtësinë ata nuk mund t’ua hedhin në kurriz të gjithë shqiptarëve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb