TIRANE

Ministri i Financave Arben Ahmetaj teksa ka komentuar dekretin e presidentit për buxhetin 2019, i cili u kthye në Kuvend për rishqyrtim, deklaroi se Ilir Meta duhet të ndërhynte për dialog me studentët.

Nga foltorja në Kuvend Ahmetaj tha se në këtë dekret nuk ka asnjë sqarim se pse është kthyer dekreti.

“Për transparencë do desha që ta citoja një pjesë të dekretit të Presidentit. Presidenti i referohet trajtimit optimal të nevojave të shoqërisë dhe objektivave të përmbushjes së kushteve. Pavarësisht se dekreti nuk ka asnjë sqarim. Presidenti është munduar që të përfshihet në një kontribut për nevojat e studentëve, të Arsimit të Lartë, apo dhe më tej. Duke qëne se nuk i është referuar asnjë shpenzim, do detyrohem që të flas për shpenzimet. Do ishte shumë mirë që presidenti t’i kërkonte studentëve dhe pedagogëve dialog. Kontributi për arsimin e lartë është dyfishuar. në 2010 të ardhurat nga tarifat kanë qenë 2.8 mld. Në 2018 të ardhurat janë 2.8 mld. Dy shifra fare të thjeshta. Ata që janë sot në protestë kanë paguar 2.8 mld dje dhe sot”, tha Ahmetaj.

Dekreti i Metes
Duke marrë shkasë edhe nga kërkesat e studentëve, te cilet prej ditesh protestojne, kreu i shtetit ktheu ligjin për buxhetin sërish në Kuvend më datë 13 dhjetor. Kjo lëvizje e Metës erdhi si një mundësi për plotësimit të kërkesave që kanë studentët e që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij. Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.”, thuhej në njoftimin e presidentit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb