TIRANE – Mazhoranca nuk ka zyrtarizuar ende qëndrimin që do të mbajë në lidhje me emrin e propozuar nga Presidenti Nishani për Guvernator të Bankës së Shqipërisë. Kryeministri Rama është parë sërish sot në zyrat e Presidentit të Republikës, me të cilin mendohet se ka diskutuar lidhur me dekretin për Guvernatorin e ri.

Më herët Kryeministri Rama dhe kreu i shtetit kanë arritur të gjejnë dakordësi lidhur me kriteret që duhet të plotësojë kandidati për Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Nishani dhe Rama janë shprehur në një mendje që Guvernatori i ri duhet të ketë një profil të lartë profesional, një reputacion ndërkombëtar dhe paanësi politike.

Me anë të një dekreti të publikuar të dielën, presidenti Nishani dekretoi Gent Sejkon për pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
“Eksperienca mbi 20-vjeçare në funksione të ndryshme në sistemin bankar i kanë dhënë zotit Sejko njohje dhe ekspertizë të lartë për sistemin bankar shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Po kështu, edukimi dhe formimi i tij profesional në Shqipëri dhe në vendet e zhvilluara, si dhe integriteti i lartë moral që ka treguar përgjatë këtyre viteve, në vlerësimin tim, e bëjnë zotin Sejko një kandidat serioz që arrin standardet më të larta të kërkuara për funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.”,-arsyetoi presidenti.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: