TIRANË

Komisioni Ligjeve ka miratuar me votat e maxhorancës dhe opozitës dekretin e Presidentit për “Kadastrën” i kthyer nga Presidenti Meta në Kuvend. Por “OK” për Metën, nuk pasoi me paqe mes dy palëve pasi opozita kërkoi sërish kohë për t’u njohur me ndryshimet, ndërsa maxhoranca e konsideroi të ezauruar. Opozita ka braktisur komisionin ndërsa maxhoranca ka miratuar edhe ndryshimet e ligjit, këtë herë e vetme.

Gjatë raportimit në komision, Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i presidentit Meta tha se ligji cenon parimin e sigurisë juridike dhe se titujt e pronësisë nuk mund të jenë e drejtë e kadastrës.


“Krijohet tension kushtetues, nuk janë në përputhje me jurisprudencën. Bie ndesh me dispozitat civile të Kodit Civil. Ligji cenon parimin e sigurisë juridike që ofronte ligji i mëparshëm. Saktësimi i titujve të pronësisë nuk mund të jetë e drejtë e kadastrës”, tha Dervishaj.

Komisioni I Ligjeve (1)
Komisioni I Ligjeve (1)

Nga ana tjetër deputetja socialiste, relatorë e ligjit Klotilda Bushka tha se pretendimet e presidentit nuk qëndrojnë, raportoi për “BalkanWeb” gazetari Ergys Gjençaj. “Siguria juridike ka të bëjë me garancitë që i jepen qytetarëve”, tha Bushka.

Sipas saj, do duhen bërë ndryshime për afatet për hyrjen në fuqi për ligjin e kadastrës.
“Duhen bërë rregullime në dispozitat kalimtare. Propozojmë miratimin e dekretit të presidentit dhe të bëjmë ndryshime në disa nene të ligjit”, tha ajo.

Ndërkaq deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se me ligjin që ka miratuar maxhoranca nuk rikthen pronën.
“Problemi është se si koncepton Edi Rama shtetin, gjithçka në dorën e tij. Me ligjin që keni miratuar nuk riktheni pronën. Në 6 vjet jeni tallur me shqiptarët.
Pasi mbyllni gjykatën kushtetuese vazhdoni te shkatërroni të drejtën pronësore në mënyrë brutale”, u shpreh Bylybashi.

Deputeti i PD tha se ky ligj tregon konceptin që ka maxhoranca për të drejtat themelore të shqiptarëve që mund t’i merrni dhe jepni sa të doni.
“Më pas këto janë probleme të karakterit që askush nuk i pranon, themelore. Parimi i të dhënave institucionale është kushtetues, nuk mund t’ua lini autoritetit tuaj të mbrojtjes së të dhënave.
Keni marrë përsipër në ligjin tuaj, në konceptin tuaj se si mund të grabisni pronën. I jepni të drejtën këtij institucioni të hyjë tek titujt e pronësisë.
I thoni qytetarëve ‘unë po ta gris këtë vendim dhe po ta saktësoj si dua unë’. Keni krijuar një ALUIZN tjetër. Në babëzinë tuaj shkoni dhe më larg, në një gjë që është shumë keq, siç është saktësimi i titujve të pronësisë, e bëni gropë deri në fund. Nuk mund të ketë titull që ka në dorë qytetari që t’iu vijë përballë. Të këput titulli i ri i pronësisë. Ajo letër që ka ai nuk vlen. Kështu më doli mua nga sateliti e do ta marrim. Harroni që Gjykata Kushtetuese që ka ndërhyrë dy herë kur ne me qëllim të mirë donim të shfuqizonim titujt korruptivë, jo tha Gjykata.
Cenoni të drejtën e individit, hallexhiut. Gjë më të rrezikshme se kaq për të drejtën e pronësisë nuk ka. Sigurisht ky është koncepti i shtetit tipikisht i majtë, që njerëzit janë në funksion të shtetit. Gjykata Kushtetuese nënvizon rëndësinë që ka regjistri i pasurive të paluajtshme. Nëse nuk e respektoni këtë, Kushtetuesja do ua kthejë mbrapsht”, deklaroi Bylykbashi.

Deputeti i PS Bashkim Fino akuzoi opozitën se po përdor politikisht Presidentin. “Presidenti është i të gjithëve. Ju po e përdorni politikisht një president që është i të gjithë shqiptarëve. Ju shqetësoheni kot edhe për Presidentin. Nëse pranojmë dhe themi se pranojmë dekretin dhe mund të bëjmë disa rregullime, nuk ka asgjë të keqe. Do jetë po prapë presidenti që do gjykojë mbi ndryshimet e bëra. Nuk dua të bej replika personale për pronat. Ne bëjmë ligj për qytetarët dhe nuk dua të bie preh e replikave politike”, deklaroi Fino.
Më pas dekreti i Presidentit është votuar si nga PD ashtu dhe nga opozita.
Por deputeti i PD Bylykbashi deklaroi se pranimi dekretit do të thotë rrëzimi i ligjit dhe do të thotë kthimi tek propozuesit.
Këshilltari i Presidentit Eduard Dervishaj tha se me pranimin e dekretit puna e presidentit përfundoi duke u larguar nga komisioni i ligjeve.
Me gjithë pranimin e dekretetit diskutimet në komision vijuan. Deputetja e LSI-së, Silva Caka tha se nuk kemi njoftim për ndryshimet ne ligj. “Nuk kemi dijeni për ndryshimet që propozohen të bëhen në ligj”, u shpreh ajo.

Debatet kanë vijuar pasi opozita ka kërkuar kohë për t’u njohur me ndryshimet e ligjit, por maxhoranca e ka quajtur tekë të opozitës, duke lënë vetëm 30 minuta kohë.
“Pas pranimit të dekretit, relatorët kanë bërë propozime konkrete për nene të caktuara. Kjo çështje është e mbyllur sipas Rregullores”, tha kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja.
Por deputetja e LSI Caka tha se problemi qëndron se nuk jemi në dijeni të propozimeve.
Manja kujtoi se opozita ka qenë në bojkot kur është bërë ligji.
“Kjo është kërkesë tekanjoze për të njohur ndryshimet e propozuara. Megjithatë jam gati t’u japim 30 minuta të lexojnë ndryshimet”, tha Fino.
Por opozita nuk ka pranuar dhe deputetët e PD dhe Silva Caka e LSI-së janë larguar nga komisioni. Nga opozita ka qëndruar vetëm Nasip Naço i LSI-së.

Në përfundim 11 deputetët e PS miratojnë në tërësi në komisionin e ligjeve ndryshimet në ligjin për kadastrën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb