TIRANE- Nëkryetari i komisionit parlamentar të Dekriminalizimit, deputeti i PS-së Taulant Balla në një intervistë për Top Channel deklaron se PS është gati të japë konsensus për ligjin e dekriminalizimit nëse PD heq dorë nga budallallëqet që sipas tij, po e bëjnë klasën politike qesharake para gjithë botës. Propozimet e PD-së për gjurmët e gishtërinjve, apo testi i drogës, janë për Ballën modifikim i ligjit “Severino” dhe kjo është e papranueshme.

“Ripërsëris qëndrimin tonë se jemi gati për konsensus, me kushtëzimin e vetëm që PD të heqë dorë nga budallallëqet. Janë budallallëqe që na bëjnë qesharak para gjithë botës dhe që nuk ekzistojnë në asnjë shtet. Modifikimet e PD të ligjit “Severino” janë të papranueshme për ne. PD nuk është e interesuar për largimin e të inkriminuarve. Ata janë të interesuar të mbajnë gjallë flakën e SHQUP-it”,- tha ai.

Ndërsa i pyetur se si mund të arrihet tek konsensusi, Balla shton: “Unë flas qartë dhe preferoj të jem i drejtpërdrejtë. Nëse ata duan që ne ta votojmë së bashku projektligjin, atëherë duhet të heqin dorë nga gjëra që çudisin botën, por na nxjerrin dhe neve qesharakë, siç duken ata çdo ditë në televizione. Nëse ata i duan këto, atëherë kjo është e pamundur të bëhet. Ne kemi përfshirë në variantin tonë jo vetëm veprat penale të kriminalitetit, por dhe të korrupsionit. Këtu nuk pranojnë ata, sepse nisen nga emra të përveçëm. Nisen nga emri i Xhelal Mziut për të shkuar tek ligji. Nuk bëhet kështu. Të merret modeli i ligjit “Severino” dhe në të të mos shtohen budallallëqe”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: