TIRANE- Komisioni i posaçëm për Dekriminalizimin është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar projektet e propozuara nga qeveria dhe opozita për këtë çështje. Deputeti socialist Taulant Balla tha se projekti i propozuar nga opozita bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjit “Severino”. Sipas Ballës, projekti i opozitës përfshin ndryshime kushtetuese, të cilët duhet të bëhen në respekt me procedurën e parashikuar nga Kushtetuta.

“Projekti i propozuar prej jush meqenëse përfshin propozime për ndryshme kushtetuese duhet të respektojë procedurën e parashikuar nga Kushtetuta për këto ndryshime. Varianti i propozuar prej jush bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjin “Severino””, tha deputeti Balla.

Ndërkaq, sipas deputetit socialist, projektligji i qeverisë për dekriminalizimin është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjit “Severino”. Balla tha se në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua projektligji për funksionet publike.

Në përgjigje të deklaratave të Ballës për projektin e opozitës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se “Kuvendi ka nevojë për dekriminalizimin. Kriminelet duhet të mos jenë në administratë”.

HALIMI: JU NUK E MERRNI DOT PENG PROCESIN E DEKRIMINALIZIMIT, KEMI MBËSHTETJEN E NDËRKOMBËTARËVE
Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se nuk duhet të bëhet farsë me procesin e dekriminalizimit, por të nisë diskutimi në komision i propozimit të opozitës. Ndërsa theksoi se ndryshimet në nene të caktuara në varësi të diskutimeve janë të mirëpritura, Halimi tha se nuk duhet të humbet kohë me këtë proces. Duke iu drejtuar deputetëve sociale, Halimi tha se deputetët e mazhorancës nuk mund të marrin peng procesin e dekriminalizimit.

“Ju nuk e keni seriozisht këtë proces, sepse nëse do të ishte kështu do të kishit bërë ndërhyrjet e nevojshme. S’ka pse Rama të firmosë një dokument për largimin e të inkriminuarve nga administrata, gjë që mund ta bëjë që sot nëse do. Por ju nuk e merrni dot peng procesin e dekriminalizimit. Ndonëse ne nuk kemi votat e nevojshme në Parlament për ta miratuar kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve, kemi mbështetjen e qytetarëve që e duan të realizohet një proces i tillë”, tha deputeti demokrat Eduard Halimi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb