TIRANE- Maxhoranca dhe opozita janë në proces komunikimi për çështjen e dekriminalizimit dhe shumë shpejt do të bëhet e mundur dalja me një draft të përbashkët.

Kjo u bë e ditur të mërkurën për mediat nga Taulant Balla, nënkryetar i komisionit të posaçëm për dekriminalizimin, i cili u shpreh optimist për vendosjen e komunikimit me opozitën, në përpjekje për arritjen e konsensusit per çështjen në fjalë.

“Projektligji i miratuar nga qeveria, por dhe ai i propozuar nga opozita duhen shqyrtuar, ndonëse në tërësi kanë shumë çështje që na bashkojnë, por ka dhe çështje që janë thjesht disa artifica, që nuk prekin thelbin e projektit. Unë kam bindjen që me komunikimin e vendosur do të arrijmë që përmes komisionit dhe mekanizmave të tjere parlamentarë, të domosdoshem, të mundësojmë që të kemi një pr/ligj të përbashkët”, u shpreh Balla.

“Janë disa artifica të cilat nuk prekin thelbin e projektligjit. Jam i bindur se në komunikimin e rivendosur të mundësojmë të kemi një projektligj të përbashkët. Procesi përfshin dy hapa, së pari ndryshimet kushtetuese, që janë disa çelësa që duhen hapur që disa mekanizma të hyjnë në fuqi. Në këtë fazë unë nuk besoj se kemi dallime të dukshme. Ata thonë që duhen ndryshuar 17 nene, dhe themi se duhen ndryshuar sa më pak.

Më pas vjen faza e dy projektligjeve, projektligji i ardhur nga mazhoranca dhe e drejta legjitime e opozitës për të paraqitur draftin e tyre. Besojmë të arrijmë në konsensus. Nëse vihet me propozime alla-shqiptarçe që nuk ndryshojnë asgjë, thjesht e bëjnë të pamundur implementimin, dhe bëjnë qesharak implementimin, propozimin dhe gjithë këtë proces. Të mos nxitohemi me konstatime. Besoj se projektligjet të dyja, do t’i sjellim në një mënyrë që i jep dinjitet këtij procesi.

Këtë proces duhet ta bëjmë bashkë dhe në mënyrë të menjëhershme. Duhet të heqim dorë disa propozime që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë proces. Çështje të cilat vonojnë procesin dhe e bëjnë atë qesharak nuk do të përfshihen në të. Por rritja e veprave të përfshira në procesin e verifikimit do të pasqyrohen”, u shpreh më tej deputeti socialist.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb