TIRANE– Partia Demokratike ka propozuar nënshkrimin e një pakti që do të mundësojë verifikimin e kandidatëve. Në një deklaratë për mediat, Oerd Bylykbashi ka ftuar publikisht mazhorancën të nënshkruajë paktin për largimin e të inkriminuarve nga listat e kandidatëve

“Jam sot para jush që të informoj opinionin publik se prej dy javësh, Partia Demokratike i ka propozuar mazhorancës nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të dekriminalizimit dhe largimin menjëherë nga gara të atyre kandidatëve që kanë rekorde kriminale.

Prej dy javësh mazhoranca e ka lënë në heshtje dhe pa përgjigje këtë propozim të Partisë Demokratike. Jam sot para jush për të bërë transparencë të plotë të këtij propozimi”, tha Bylykbashi.

Partia Demokratike propozon nënshkrimin e një pakti që do mundësojë:

1- Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë;

2- Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale;

3- Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre.

4- Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë.

“Partia Demokratike i bën thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale nga listat e kandidimit ne zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij”, vijoi Bylykbashi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb