Nga MENTOR KIKIA*

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka u kujdes ta theksonte disa herë para kamerave, se seanca e fundit plenare e këtij sesioni ishte e jashtëzakonshme. “Kjo është një seancë e jashtëzakonshme, ndërsa ata (mazhoranca) kërkojnë ta trajtojnë si të zakonshme”, – u tha ai gazetarëve. Sipas Palokës, kjo ishte e jashtëzakonshme, sepse ata, deputetët e opozitës, kishin shkuar në parlament pas pesë muajsh mungesë. Kjo ngjarje e “rrallë” apo e jashtëzakonshme, në fakt duhej shënuar në histori dhe nuk duhej të kalonte ashtu, thjesht. Madje, rruga nga ndërtesa e selisë së demokratëve deri te hyrja e parlamentit duhej shtruar me tapet të kuq dhe në hyrje duhej të kishte fishekzjarre, e madje edhe një bandë muzikore që t’i jepte kësaj dite ngjyrat e një dite të shënuar dhe festive.

Në fakt, ajo që po ndodhte ishte se deputetët e opozitës, pas pesë muajsh, po shkonin në vendin e tyre të punës, për të cilën janë zgjedhur dhe për të cilën paguhen. Opozita në fakt po kërkonte që të shiste për sukses një kapriço politike dhe, që kapriçoja të merrte trajtën e një krize serioze politike, u desh që të futeshin në mes edhe dy eurodeputetë, që hartuan një draft në emër të dy palëve këtu në Tiranë. Dhe kështu fundi i bojkotit duhej të shënohej si sukses dhe jo si fundi i një marrëzie politike, që në demokracitë perëndimore nuk njihet si praktikë opozitarizmi. Në ndihmë të Palokës, për të jashtëzakonshmen e kësaj dite, u vu edhe ideatori i vërtetë i ekstremizmit opozitar, Berisha, i cili e cilësoi këtë një fitore historike dhe se Partia Demokratike kishte shpëtuar demokracinë për herë të dytë. Ani, nuk dua të merremi gjatë me opozitën që kërkon të shesë uthullën që gatoi për verë të cilësisë së parë, por doja të ndaleshim te njëra nga pikat e marrëveshjes që u shndërrua në rezolutën e “pajtimit” mes palëve. Dekriminalizimi i parlamentit!

Vetë fakti që të dyja palët pranojnë se duhet dekriminalizuar parlamenti është e frikshme. Sepse na konfirmon se ata e dinë që në parlament ka njerëz të lidhur me krimin, të të gjitha formave. Pra, mes atyre që janë aty për të bërë ligjet, për të bërë reformën në drejtësi, në administratë, sistemin zgjedhor etj., etj., ka kriminelë apo njerëz të lidhur me botën e krimit. Epo kjo është me të vërtetë historike, jo hyrja e opozitës në parlament, ose më saktë, është historikisht e turpshme dhe e frikshme. Jo se ne nuk e dinim, por sepse vetë parlamenti voton me shumicë votash, asnjë kundër, për të dekriminalizuar parlamentin. Pra kanë votuar edhe të inkriminuarit.

Por kush dhe si do ta dekriminalizojë parlamentin? A do të futet ndonjë deputet në burg, apo kjo nënkupton që në zgjedhjet e ardhshme njerëzit e inkriminuar të mos i qasen më parlamentit? A kemi faj ne votuesit që aty, në ato karrige, ulen sot njerëz të dënuar për trafik droge, tutorë prostitutash, kontrabandistë cigaresh e karburantesh, biznesmenë evazorë, tregtarë të çfarëdolloji që paratë nuk i kanë paguar në zyrën e Tatimeve por në zyrën e partisë, njerëz të lidhur me gjithfarësoj fijesh me krimin e rrugës dhe atë të organizuar? A kemi faj ne votuesit që në karriget e parlamentit, edhe ata që nuk janë të lidhur me krimin, janë shërbëtorë të bindur, miq dhe shokë të kryetarëve të partive?
Unë personalisht nuk e di se për cilin deputet kam votuar. Ligji zgjedhor e ka cunguar demokracinë, duke kthyer praktikën e emërimit të deputetëve nga kryetarët e partive. Qytetarët u ftuan të votojnë partitë dhe partia (nënkupto kryetari – shprehje që të kujton citatin e famshëm: “Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia. Kur themi partia, nënkuptojmë Lenini”) cakton deputetët. Kjo çështje është trajtuar gjatë dhe thuajse të gjithë shkruesit e mediave kanë qenë në një mendje që kjo nuk është demokratike, pasi votuesit nuk votojnë personin që do t’i përfaqësojë. Ata nuk mund të zgjedhin mes disa kandidatëve më të mirin dhe të veçojnë trafikantin dhe kriminelin; ata votojnë dhe me votën e tyre futet në parlament trafikanti. Ky është sistemi zgjedhor shqiptar dhe ky ka bërë që nga legjislatura në legjislaturë bërthama e deputetëve të vërtetë të tkurret frikshëm dhe të shtohet po kaq frikshëm numri i atyre që janë ose gdhë, ose të lidhur me krimin. Duke iu referuar shprehjes se ‘Çdo popull meriton qeverinë që ka’, ne të paktën nuk meritojmë parlamentin që kemi, pasi nuk e kemi votuar ne.

Sa i takon dekriminalizimit të parlamentit, teorikisht i bie se atë duhet ta bëjnë ata që e kriminalizuan. Dhe kjo, edhe nëse shndërrohet në ndonjë ligj, nuk do të sjellë rezultat, pasi sërish përzgjedhja e kandidatëve aforfe dhe deputetëve, do të jetë në duart e vetë partive, ose të kryetarëve, të cilët, nëse nuk do të donin, nuk do t’i kishin futur edhe më herët ata të “fortët” që përleshën edhe me grushte në parlament. Nëse realisht do të duan të dekriminalizojnë parlamentin, duhet të ndryshohet ligji zgjedhor dhe deputetët të zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, dhe jo sipas listave të partisë, që dorëzohen në KQZ në orën 23.55, pra pesë minuta para skadimit të afatit, kur askush nga ata që kanë mbetur jashtë zonës së sigurisë të mos ketë mundësi të reagojë apo rebelohet.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb