TIRANE- Dy prej deputetëve të cilëve iu kanë dalë emrat në listën e deputetëve nën hetim nga Prokuroria në zbatim të ligjit të dekriminalizimit kanë reaguar pas publikimit të lajmit. Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçit në një deklaratë për mediat theksoi se është surprizuar nga lajmi, pasi ai nuk ka bërë kurrë asnjë shkelje.

Ndër të tjera Gaçi thekson se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, ndërsa shton se ka hyrë dhe ka dalë në shumë vende të Europës.

“Pershendetje te gjitheve, Sot u njoha me nje lajm qe prokuroria po kryente verifikime mbi mua dhe disa deputete e kryebashkiake te tjere me pretendimin se mund te ishim subjekte te ligjit te dekriminalizimit. U surprizova shume qe emri im ndodhet ne ate liste pasi ne jeten time nuk kam bere kurre asgje te paligjshme dhe aq me pak ndonje nga veprat e ligjit. Asnjehere ne jeten time nuk jam ndaluar, asnjehere arrestuar, dhe asnjehere gjobitur a denuar per asgje as ketu, dhe ne asnje vend ne Europes a me gjere. Sikur te kishin pasur qofte edhe dyshimin me te vogel, nuk me kishin lejuar te hyja e te dilja me dhjetera here neper vizita zyrtare ne senatin italian, bashkite e shumta ne Itali etj. Prokuroria te beje punen, e verteta do triumfoje. Por ndihem i detyruar t’u shpjegohem persa me siper me falenderimet me te sinqerta per mbeshtetjen tuaj derisa ky keqkuptim te zgjidhet. Tani”, shkruan Gaci.

DEPUTETI I PDIU, RAKIPI: S’DI TË KEM BËRË ASGJË

Edhe deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi i cili ndodhet në listën me emrat që Prokuroria po i heton në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ka reaguar pas publikimit të lajmit.

Njësoj si deputeti i PS-së, Artan  Gaçi dhe ai ka thënë se është ‘i pafajshëm’ dhe nuk ka bërë asgjë.

“S’di të kem bërë asgjë, Prokuroria t’i bëjë verifikimet. Prokuroria le të dalë në konkluzion po të ketë gjë. Kanë kaq kohë me ketë punë, po të kishin gjë e kishin dhënë. Unë nuk kam asgjë për të fshehur”, është shprehur Rakipi.

Nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë janë në listën e prokurorisë me dyshimin se ata janë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit.

Top Channel e verifikoi listën e Prokurorisë së Përgjithshme nga burime zyrtare dhe rezultoi se 6 prej tyre janë deputetë dhe 3 kryebashkiakët e Poliçanit, Tepelenës dhe Pogradecit.

Artan Gaçi, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi janë deputetët që Top Channel konfirmoi se po verifikohen nga prokuroria. Të gjithë këta zyrtarë, përveç Mhill Fufit dhe kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri, janë të mazhorancës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb