TIRANE– Dy deputetë nga kampet politike të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, si edhe kryebashkiaku socialist për Kavajën, Elvis Roshi, u shpallën zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme si persona që iu ndalohet e drejta të ushtrojnë funksione publike në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Pas kontrolleve mbi vërtetësinë e formularëve të vetëdeklarimit të tyre, prokuroria ia ka përcjellë rezultatet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pritet të mblidhet për t’ju ndërprerë atyre mandatin në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, thënë ndryshe “ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkaq, deputetët Tahiri e Selami dhe kryebashkiaku Roshi deklarohen nën hetim penal për falsifikim të formularëve.

Duke folur në studion e emisionit “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News 24”, ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume ka shpjeguar procedurën që duhet të ndjekë tashmë KQZ duke zbatuar ligjin.

Aktualisht Prokuroria e Përgjithshme, me kërkesë të KQZ-së po verifikon edhe zyrtarë të tjerë për të cilët priten përgjigje edhe nga autoritetet e huaja.

20161224-175446

Si vepron KQZ me mandatet e dy deputetëve pas dorëzimit të dokumentacionit nga Prokuroria?
Kristaq Kume: Referuar kërkesave drejtuar KQZ për të zgjedhurit deputete, ky institucion i ka kërkuar siç duhet tashmë që të verifikojë vetëdeklarimet e bëra. E drejta për të realizuar një verifikim të tillë i nis KQZ ose ku ka indicie ose kryesisht. Ka shumë kërkesa për verifikim në Prokurori, të bëra jo vetëm nga KQZ. Tashmë ka mbaruar procedura e verifikimit. Pas kësaj është njoftuar KQZ për rezultatet e këtij verifikimi, ka kryer detyrën e saj, dhe tashmë i ka dhënë institucionit që ka bërë kërkesën të gjithë dokumentacionin e kërkuar, dhe tashmë i takon KQZ të vijojë. Nga dita kur prokuroria ka njoftuar për rezultatet e këtij verifikimi, për një periudhë 10 ditore, KQZ shqyrton dokumentacionin e ardhur nga prokuroria.

A ka të drejtë ta vërë në pikëpyetje këtë dokumentacion?
Kristaq Kume: E shqyrton dokumentacioni , për të dalë se ajo çka ka dalë nga Prokuroria a korrespondon me një nga veprat e parashikuara për dekriminalizimin. Nëse po, atëherë duhet vazhduar më tej. Nëse rezulton se subjekti përkatës bëhet objekt i ligjit për dekriminalizimin, duhet që KQZ të shohë edhe afatin brenda të cilit mund të veprojë ky ligj. Në varësi të veprave e drejta për t’u zgjedhur hiqet, për 5, 10 apo më shumë vite.

20161224-175522
Deputetët nga ana tjetër kanë sjellë dokumentet e tyre nga Italia. Si vepron KQZ në këto raste?
Kristaq Kume: KQZ e thërret personin e caktuar, që ligji e detyron të bëjë vetëdeklarimin, dhe më pas KQZ bën verifikimin.

A kanë të drejtën e ankimimit?
Kristaq Kume: Kjo është një e drejtë e kujtdo. Si çdo qytetar tjetër, që mendon se është bërë diçka jo e rregullt ndaj personit të tij.

 

Pse ka një mos reagim për të mos folur, si i ke parë reagimet e dy deputetëve
Tedi Blushi: Deri diku kauza e opozitës për dekrimanizlimin rezultoi kauzë e drejtë dhe e moralshme përderisa mori vlerësim ndërkombëtar dhe votim konsensual në Kuvend. Elvis Roshi nuk ka për çfarë të shprehet për disa kohë. Vendimet e gjykatave, për të cilat opinioni publik është i njohur, e shpallin fajtor jashtë territoreve të Shqipërisë. Çdo argument apo pretendim për të kundërtën është i pavlerë. Roshit i ka mbetur vetëm të dorëhiqet para shkarkimit, vendim që e tërhoqi mbrapsht. Ndërsa për dy deputetët e tjerë, di një detaj për zotin Shkëlqim Selami, në periudhën Korrik-Gusht-Shtator, kur koalicioni LSI-PS  u vu në diskutim a do të vazhdonte apo jo, pati një lëvizje nga ana e PS që në dijeninë time kishte informacione lidhur me këtë fakt, pra me këtë “njollë” në të kaluarën e zotit Selami dhe ka bërë trantativa për ta afruar në grupin e saj parlamentar, në mënyrë që në rast të një mocioni besimi ndaj Ramës , grupi kërkues të mos i kishte votat dhe PS të mund të mbante në këmbë qeverinë pa votat e LSI. Dhe ju them me garanci edhe pse nuk ekziston një shkresë zyrtare, se Selami prej korrikut nuk është më pjesë e LSI. Nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të grupit parlamentar, në asnjë mbledhje të forumeve të saj, pra de facto nuk është më pjesë e LSI-së. Ka kohë që Selami nuk shkon asnjë mbledhje të LSI-së. Ai nuk është më deputet, e përsëris de facto, jo de jure i LSI. Në këtë mënyrë kërkon t’i shpëtojë rrjetës së dekriminalizimit.

Po zbatohet ligji i dekriminalizmit?
Tedi Blushi: Kanë filluar efektet e para, edhe pse jemi me vonesë, sepse u bënë dy vjet që kur u diskutua për nxjerrjen jashtë të deputetëve me të kaluar kriminale, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë të PS-LSI, dhe ky debat ka filluar disa vite më parë. Dhe tani diskutohet vetëm për 2-3 emra deputetësh.  Shumë zyrtarë në nivele vendore presin me ankth vendimin e Prokurorisë për ndërprerjen e mandatave. Elvis Roshi e ka mbaruar karrierën politike, Dashamir Tahiri është pjesë e grupit parlamentar të PD, dhe në rast se KQZ  vendos t’i heqë mandatin, kemi shtim të deputetëve të mazhorancës për shkak se ai është zgjedhur deputetet nga lista e PDIU, dhe mandati do t’i kalojë kësaj force politike, aktualisht në qeverisje.

A rrezikon opozita të mos marrë pjesë në zgjedhje?
Tedi Blushi: Deri tani është hedhur idea e bojkotimit të zgjedhjeve, apo bërjes së një presioni më të madh të zgjedhjeve, kjo është bërë nga “Garda e Vjetër” e PD. Nuk besoj se opozita do riskojë të refuzojë hyrjen në zgjedhje. Mungesa e një alternative të mirëfilltë qeverisëse e detyron opozitën deri dikur por do ishte fatale për opozitën, do bënte gafë të madhe nëse do refuzonte të hynte në zgjedhje, do ta konsideroja vetëvrasje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb