TIRANE – Pas disa muaj debate, maxhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensusin për t’i hapur rrugë dekriminalizimit.

Me 131 vota pro Kuvendi miratoi projektligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, i njohur ndryshe si drafti ‘për dekriminalizimin” që parashikon ndalimin e përfshirjes në politikë apo emërimin në poste të larta zyrtare të personave me të kaluar të errët.

Drafti, një version konsensual i projektligjit të ardhur nga qeveria dhe atij të propozuar nga opozita, synon të garantojë integritetin e personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike, përmes dekriminalizimit të organeve të zgjedhura.

Më herët 131 deputetë të Kuvendit kanë votuar pro paketës së ndryshimeve kushtetuese, e hartuar në funksion të ligjit të dekriminalizimit, që parashikon kategoritë e zyrtarëve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose që duhet të lënë mandatet në rast se kanë kryer shkelje në të kaluarën.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se ky projektligj hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

Katër amendamentet e miratuara me konsensus të hënën nga komisioni i posaçëm parlamentar u miratuan sot me konsensus në Kuvend, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Një nga nenet e paketës ligjore që përfshin ndryshimin e nenit 179 të Kushtetutës përcakton se deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, u lihet kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre.

“Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe subjektet e ligjit të posaçëm që rregullon garantimin e integritetit të personave, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij”, thuhet në nenin 4 të pr/ligjit.

Amendamentet detyrojnë gjithashtu titullarët e institucioneve ku konstatohet se ndodhen individë me të kaluar kriminale, që brenda 5 ditëve të shpallin të pavlefshëm mandatin ose të nxjerrin aktin e shkarkimit të tyre.

“Funksionarët publikë që janë emëruar në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që ushtrojnë funksionin e tyre me ose pa mandat, shkarkohen menjëherë nga detyra nëse konstatohet se përfshihen në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara sipas ligjit të posaçëm nga e drejta për t’u zgjedhur, emëruar apo për të mbajtur një funksion publik. Organi përgjegjës është i detyruar të nxjerrë aktin e shkarkimit nga detyra brenda 5 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit”, thuhet në amendamentet e ndryshuara.

Ndërkohë, Parlamenti ka hedhur poshtë amendamentet e propozuara nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, për moslejimin të kandidimit në poste publike të personave që kanë mbajtur dhe ushtruar poste gjatë regjimit komunist. Gjithashtu, nuk u votua as amendamenti i deputetit Oerd Bylykbashi për testin e drogës.

Kryeparlamentari Ilir Meta e cilësoi një konsensus të jashtëzakonshëm, miratimin e ligjit për dekriminalizimin.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb