TIRANE – Komisioni i posaçëm parlamentar për zbatimin e marrëveshjes mazhorancë-opozitë, i njohur ndryshe si komisioni i ‘dekriminalizimit,’ është mbledhur mesditën e të hënës, ku pritet të paraqiten nismat ligjvënëse të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për këtë çështje.

Në fillim të mbledhjes, deputeti socialist Taulant Balla propozoi që të përfshihet në shqyrtim raporti i Komisionit të Venecias.

“Propozoj që dy anëtarë të komisionit të posaçëm, nga mazhoranca zonja Hysi dhe nga opozita njëri prej anëtarëve, brenda një kohe të shkurtër të na bëjnë një përmbledhje të raportit të ardhur nga komisioni i Venecias dhe pastaj gjetjet që do të bëjnë dy kolegët të jenë udhërrëfyesi për të shqyrtuar edhe propozimet që do të vijnë. Propozimet që kanë ardhur nga ana juaj dhe propozimet që do të bëjmë edhe ne”- deklaroi Balla.

Kryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi theksoi se dokumenti i Komisionit të Venecias është një udhërrëfyes i padiskutueshëm, por raporti nuk mund të diskutohet në këtë komision.

“Të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë dijeni për të gjithë brendinë e raportit të komisionit, material shumë i vyer. Gjykoj që ky komision nuk mund të diskutojë mbi raportin. Ne na ka ardhur si dokument që do të na udhëheqë në punën tonë dhe për rrjedhojë ne mund ta marrim të mirëqenë vetëm kështu. Ne marrim frytin e asaj pune. Shume i mirë si dokument na ndihmon.”- deklaroi Bylykbashi.

Nga ana e tij, deputeti demokrat Eduard Halimi theksoi se drafti që propozon opozita e ka marrë parasysh raportin e Komisionit të Venecias.Halimi theksoi se ligji për dekriminalizimin duhet të miratohet një orë e më parë.

“Ne nuk kemi tagër të diskutojmë e ka mirë se ka mirë komisioni i Venecias, nuk e bëjmë dot ketë. Qytetarët presin sot, pikë e parë drafti i ligjit për dekriminalizimin. Sigurisht duhet ndryshuar Kushtetuta. Ne duhet t’ja rekomandojmë kuvendit këtë, bashkë me ligjin. Kushtetuta duhet ndryshuar. Ke një rekord kriminal, ke një mandat, që e mban me rekorde kriminale, atë mandat do ta lesh”- deklaroi Halimi.

Opozita ka depozituar në parlament dy drafte: “Për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore” dhe disa shtesa e ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë. Në shkurt 2015, Kuvendi vendosi ngritjen e komisionit të posaçëm për zbatimin e marrëveshjes maxhorancë-opozitë, e miratuar me unanimitet më 24 dhjetor në parlament. Çështje kryesore e saj është dekriminalizimi i parlamentit dhe administratës publike, pas zhvillimeve që nxorën në pah penetrimin e elementeve me rekorde kriminale në institucione. Kjo problematikë ka krijuar shqetësim edhe tek faktori ndërkombëtar, i cili e ka mbështetur këtë proces.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb