TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë thirrje 8 zyrtarëve, 5 deputetë dhe 3 kryebashkiakëve që të japin shenjat e gishtërinjve, kjo në sajë të hetimeve për dekriminalizimin.

‘BalkanWeb’ mëson se Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme iu ka kërkuar këtyre pesë deputetë të paraqiten brenda 5 ditë në Institutin e Policisë Shkencore dhe të japin shenjat e gishtave me qëllim që të krahasohen me të dhënat që disponon deri në këto momente prokuroria nga institucionet ligjzbatuese të vendeve të huaja.

Ky fakt është bërë i ditur për ‘BalkanWeb’ nga burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë për këtë gjë është vënë në dijeni edhe Kuvendi i Shqipërisë duke qenë se ata janë nomleklkautë e Kuvendit.

DEPUTETET NË HETIM
Aqif Rakipi (PDIU)
Omer Mamo (PDIU)
Ledion Rehovica (LSI)
Mhill Fufi (PD)
Artan Gaci (PS)

KRYEBASHKIAKËT NË HETIM
Kryebashkiaku i Pogradecit Eduard Kapri (PD)
Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj (PS)
Kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi (PS)

SEKUESTRIMI I DOKUMENTAVE NE KQZ
Në kuadër të hetimeve për dekriminalizimin nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për deputete apo dhe kryetarë bashkish që kanë shkelur ligjin, sot oficerë gjyqësorë janë paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“News24” dhe ‘BalkanWeb’ mësojnë se oficerët gjyqësore do të sekuestrojnë dokumentet të KQZ lidhur me emrat që ata po hetojnë.

‘BalkanWeb’ mëson se prokuroria ka dyshime se KQZ ka kryer shkelje, pasi ka pranuar që shumë deputetë të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit jashtë afatit të përcaktuar. Po ashtu, burime të rezervuara thonë për ‘BalkanWeb’ se prokuroria mund të kërkojë edhe shenjat e gishtave të këtyre deputetëve që po hetohen.

Në sajë të dekriminalizimit Prokuroria e Përgjithshme po heton një numër të madh deputetësh, ndërsa disa prej tyre u është hequr mandati. Këtu përmendim rastin e Dashamir Tahirit, Shkëlqim Selamit si dhe kryebashkiakut Elvis Rroshit. Ndërkohë, rasti i Armando Prenges është i diskutueshëm.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: