Një grup tjetër i përbërë nga gjashtë gra të kthyera nga Siria është paraqitur para Gjykatës Themelore të Prishtinës. Në seancë, Prokuroria ka kërkuar vendosjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj tyre për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Kimete Krasniqi, avokate e njërës nga gratë të dyshuara për këtë vepër penale, tha pas seancës se ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak.
“Për të mbrojturën time nuk ka asgjë që është e vërtetuar se ka kryer këtë vepër penale. Klientja ime ka qenë e mashtruar nga burri i saj tashmë i njderë, i cili është vrarë pas tre muajsh të qëndrimit atje”, tha Krasniqi.

Grupi i parë i përbërë nga dhjetë gra u paraqit të martën para Gjykatës Themelore të Prishtinës. Pas përfundimit të seancës, Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër 10 grave të pandehura, me inicialet, V.B., F.D., F.L., N.H., A.Z., V.K., H.K., L.L., S.S. dhe M.A. për shkak të veprës penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Të dhjetë grave iu caktua masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj për secilën, duke filluar nga data 23.04.2019 deri më 23.05.2019. Gjykata tha se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri më 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, konfirmoi të martën për Radion Evropa e Lirë se janë duke u zhvilluar hetime ndaj 32 grave të kthyera nga Siria nën dyshimet për veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Javën e kaluar, 110 kosovarë u kthyen nga Siria në Kosovë, kryesisht gra dhe fëmijë, mirëpo edhe katër luftëtarë, të cilët u arrestuan menjëherë pas arritjes në Kosovë.
Të kthyerit u mbajtën për 72 orë në Qendrën për të Huajt në fshatin Vranidoll në periferi të Prishtinës dhe më pas u lejuan që të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb