Është publikuar video nga momenti i sulmit ndaj avokatit, Sokol Mëngjesi, i cili si pasojë e dhunës nga tre persona ndodhet në intubim te spitali i Traumës në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, pak minuta pasi avokati ka lënë djalin e tij në kopsht.

Siç shikohet në videon e siguruar nga gazetari i BalkanWeb Igli Çelmeta, avokati ka qenë duke qëndruar në këmbë në hyrje të kopshtit, kur është qëlluar nga tre persona.

Avokati është goditur me dorezë hekuri në kokë, duke rënë menjëherë në tokë. Më pas është qëlluar me shkelma dhe me sende të tjera. Autorët janë larguar më pas me vrap, duke e lënë të shtrirë në tokë pa ndjenja.

Edhe këndi tjetër i videos tregon momentin e agresionit, teksa autorët largohen me vrap. Skena e ngjarjes së rëndë ka ndodhur në sytë e dhjetëra kalimtarëve të rastit. Kanë qenë këta të fundit që i kanë dhënë ndihmën e parë Sokol Mëngjesit. Agresorët e kësaj ngjarje janë Elton Kasaj, Drivald Alia, Dorian Alia dhe Romario Tabaku.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Policia e Tiranës zbardhi rrethanat e ngjarjes dhe identifikoi autorët. Policia ka arrestuar porositësin e sulmit, ndërsa më pas një nga agresorët u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Organizatori i dhunimit është shtetasi Dritan Nano i cili mësohet se ka porositur agresionin ndaj Mëngjesit.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat dha detaje në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Vocaj shprehet se avokati Mëngjesi ka përfaqësuar një familje në një proces civil për një pronë në Tiranë. Mësohet se procesi është fituar nga pala e përfaqësuar nga avokati, por se disa nga trashëgimtarët nuk kanë dashur të paguajnë Sokol Mëngjesin për shërbimet e studios së tij ligjore.

Më konkretisht, Dritan Nano ka refuzuar të zbatojë kontratën me avokatin dhe studion e tij ligjore, edhe pse procesi gjyqësor u fitua dhe prona te Liqeni i Tiranës iu kaloi trashëgimtarëve, pavarësisht se mbi të është ndërtuar një kompleks pallatesh.

Në kushtet e moszbatimit të kontratës, avokati Mëngjesi kishte arritur ta bllokojë me vendim gjykate pronën që i ishte premtuar nga Nano (apartament banimi te diga e liqenit). Mirëpo kjo ka rritur tensionet mes palëve dhe mësohet se Dritan Nano ka kërcënuar vazhdimisht avokatin Sokol Mëngjesi. Kërcënime të cilat nuk ishin marrë në konsideratë nga ky i fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb