Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka tërhequr sërish vëmendje, teksa është shfaqur si personazh i filmave aksion.

Ai ka lundruar me anije rreth 180 kilometra, në ujërat e Gjirit të Finlandës për të inspektuar nga afër rrënojat e një nëndetëseje sovjetike, e cila u zbulua vitin e kaluar dhe mendohet se u fundos gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e kontaktit me një minë deti.

Batiskafi i presidentit Putin dhe një ekip zhytësish që e shoqëronin atë u futën të shtunën rreth 50 metra nën det. Në nderim të viktimave të nëndetëses, ata vendosën një pllakë përkujtimore me emrat e mbishkruar të secilit pjesëtar. Pas ekspeditës në Detin Balltik, Putin kujtoi se operacione të tilla e ndihmojnë atë të kuptojë më mirë punët që kryejnë më mirë qytetarët rusë.

“Në tokë ka shumë probleme, ndaj për t’i zbutur ato ndonjëherë na duhet të ngjitemi lart në qiell ose të zbresim poshtë nën det. Është detyra ime të vizitoj vendet ku dhe si punojnë qytetarët apo specialistët tanë, që të kuptoj se çfarë i shtyn të zgjedhin këtë rrugë në jetë”, tha Putin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb