Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend nuk është sjellje e një shteti evropian, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

Ai po ndjek nga afër punimet e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit, por është shprehur i zhgënjyer me aktin e deputetëve opozitar të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend për të ndërprerë votimin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Më duhet të them se sot ishte një zhgënjim i madh për mua sepse mendoj që njerëzit të cilët nuk kanë kurrfarë ideje dhe idetë e të cilëve kanë bankrotuar, i kthehen dhunës”, tha Delawie.

“Kjo nuk guxon të ndodhë në shtet evropian. Hedhja e gazit lotsjellës nuk është sjellje evropiane”, theksoi ai.

“Do t’i ftoja të gjithë deputetët të kthehen në Kuvend dhe të votojnë për ratifikimin e demarkacionit dhe të votojnë për rrugën evropiane dhe përparimin e Kosovës”, tha ambasadori amerikan.

Kosova ka mbetur e lidhur për një kohë të gjatë me këtë çështje dhe se ajo duhet të mbyllet sot, ka porositur ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb