Gjatë vitit 2015 parashikohet që baza aktive e dronëve për përdorim joushtarak me kosto 200 $ e sipër do të tejkalojë 1 milion njësi për herë të parë. Shitjet e dronëve joushtarakë për vitin 2015 do të arrijnë në 300 mijë njësi, sipas raportit të Deloitte “ Parashikimet për teknologjinë, median dhe telekomunikacionin 2015”, ku shumica e tyre do të blihen nga konsumatorët dhe individë për qëllime profesionale. Parashikohet që të ardhurat totale të kësaj industrie të arrijnë në 200 milion deri në 400 milion dollarë për vitin 2015, sipas Deloitte, e përafërt kjo vlerë me koston e një avioni mesatar pasagjerësh.

 

Konkretisht, dronët që do të shiten gjatë 2015 do të përfshijnë: dronët më të thjeshtë me çmim (300$-500$), që fluturojnë deri në 20 minuta deri ne 15 km/orë horizontalisht. Ata peshojnë më pak se 500 gramë, janë gjysëm metri të gjatë kanë në aparat fotografik të inkorporuar. Kontrolli i tij bëhet me smartphone apo apps në një tabletë.

Kategoria e dytë që kushton rreth 750 $ (së bashku me pajisjet shoqëruese si bateri, karikues, GPS etj) janë më të kërkuar nga konsumatorë që duan t’i përdorin për qëllime profesionale si fotografime etj. Këta dronë peshojnë afro 1 kg, mund të fluturojnë deri në 50 km/orë, qëndrojnë në ajër deri në 25 minuta si dhe kanë një kontrollues të veçantë.

 

Modelet për përdorim nga sipërmarrjet kushtojnë rreth 10 mijë $ e sipër. Këto modele kanë disa motorrë dhe mund të ngrenë deri në 3 kg, duke u vënë në përdorim edhe për qëllime transporti për pesha të lehta e territore të vështira. Disa nga këto modele mund të fluturojnë deri në një orë.

 

Tregu i dronëve në dekadën e fundit iu ka shërbyer kryesisht rritjes së kërkesës nga konsumatorët elektronikë dhe në nivel të hobive.  Tashmë aplikimi parësor nga konsumatorët do të jetë për fotografime ajrore. Gjithashtu do të zgjerohet përdorimi për qëllime profesionale, si psh, funksione transporti si ato me helikopter por pa koston e pilotit. Dronët mund të realizojnë punë që më parë ishin shumë të kushtueshme për t’u marrë në konsideratë. Fermerët mund të mbikqyrin të mbjellat pa patur nevojë që t’i vizitojnë fushat. Forcat e policisë dhe njësitë e shpëtimit mund të plotësojnë kërkimet e tyre duke përdorur kamera infrared të instaluara në dronë. Gjeologët mund t’i përdorin ato për të vënë në harta territore të vështira. Me dronë mund të mbikqyren turbinat e erës, zonat naftëmbajtëse nga lart apo edhe një sërë aplikimesh të tjera observuese në funksion të biznesit.  Sidoqoftë, parashikimet mbeten në një përdorim në këto nivele, dhe jo në tejkalim të përdorimit në masë të dronëve ( në disa million njësi) në tregun global.

(d.b/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: