SARANDË– Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë dy adoleshentë, të cilët kanë grabitur me armë lekët e pensioneve të destinuara për rrethin e Delvinës. Bëhet fjalë për një shumë prej 15 milion lekësh. Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga kanë rënë: A. Qoku, 17 vjeç dhe Idriz Qoku, 19 vjeç, të dy banues në Delvinë.
Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Vjedhje me arme” dhe “Përvetësim i parave” ose mallrave të veprës penale.

Mëngjesin e së dielës në aksin rrugor Kalasë-Tatzat, në vendin e quajtur “Përroi i Groshtave”, 17-vjeçari A. Qoku, me armë zjarri tip automatik i ka dalë para automjetit tip “Toyota” me targa AA882 BI, që drejtohej nga Idriz Baba, dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur shumën prej 15 milion lekë, që ishin të destinuar për shpërndarjen e pensioneve të rrethit Delvinë, shumë parash e cila ishte marrë me tej nga shtetasit Idriz Qoku në banesë dhe ishin fshehur në anë të një përroi.

Në cilësinë e provës janë sekuestruar sasia prej 15 milion lekësh të grabitura, si dhe një gëzhojë arme. Gjatë marrjes në pyetje të dy të rinjtë kanë pranuar krimin dhe kanë dhënë shpjegime dhe detaje për ngjarjen
Gjithashtu 17-vjeçari A. Qoku ka shpjeguar se pas kryerjes së krimit armën e zjarrit e ka hedhur në lumë.

Ndërkohë Policia e Sarandës ka proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” edhe shtetasin 51-vjeçarin Vendim Baba, me detyrë punonjës i zyrës Postare Delvinë, pasi dyshohet se ka transportuar sasinë e lekëve në kundërshtim me rregullat për transportin e vlerave monetare. Materialet procedurale ju referuan organit të Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb