Bashkia e Durrësit ka miratuar sot fondin prej 10 milionë lekësh për të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti i së shtunës.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Mësohet se këshilltarët bashkiakë dhuruan një pjesë të pagës së tyre, (10000 lekë/anëtar) shumë e cila do i bashkohet fondit për t’ju ardhur në ndihmë të dëmtuarve.

Kësaj nisme i është bashkuar edhe Bashkia e Tiranës, e cila ofroi një fond 20 milionë lekë për Durrësin.

Kryebashkiakja Valbona Sako deklaroi se në këto kushte të vështira fondi prej 10 milionë lekësh të miratuara në mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak vjen si një ndihmë e parë për të dëmtuarit që po verifikohen në terren prej 16 grupeve të ngritura. Grupet kanë në përbërje të tyre kreun e njësisë administrative, një punonjës të kësaj njësie, një inxhinier ndërtimi dhe një të Emergjencave Civile.

Sako theksoi se qytetarët nuk duhet të abuzojnë me deklarimet e tyre për të përfituar nga situata. “Në këto ditë të vështira po përballemi me një fluks abuzimesh. Po abuzohet shumë. Grupet janë ndërtuar të tilla që të evidentojnë me saktësi shkallën e dëmit në banesa”, -tha Sako. Sipas kryebashkiakes, dëmshpërblimi për secilin prej banorëve të prekur nga dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti do të kalojë në numra llogarie të tyre, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë transparent.

Kujtojmë se epiqendra e tërmetit ishte Durrësi, me një magnitudë prej 5.8 ballë. Nga lëkundjet, që shkaktuan panik të madh tek qytetarët, pasi për nga intensitetet ishte më i forti në 20-30 vitet e fundit, dhjetra banesa u shkatërruan si dhe u lënduan disa persona.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: