Analistët kanë komentuar zhvillimet e fundit politike në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, në News24. Analisti Alfred Lela ka deklaruar se deputetja Rudina Hajdari ka gabuar me vendimin e saj për të dalë kundër djegies së mandateve, duke shtuar se ajo i ka borxh PD-së.

Nga ana tjetër, analistët Arjan Vasjari dhe Fatos Lubonja kanë debatuar lidhur me faktin nëse ka apo demokraci sot në Shqipëri, teksa vendi ndodhet prej muajsh në krizë të thellë politike.

Pjesë nga debati:

Alfred Lela: Fakti që Rudina Hajdari ka kundërshtuar vendimin e opozitës për djegien e mandatit, nuk e gjej edhe sot të gjetur. Rudina vazhdon t’i ketë një borxh elektoratit të PD. Nuk e dimë a e ka atë mandat prej trashëgimisë, prej elektoratit apo prej partisë. Ajo vazhdon të jetë në borxh me PD. Rudina nuk ka ndonjë fryt në PD, ka qenë statike. E ka legjitimuar ekzistencën në pushtet të PS.

Vasjari: Nëse bien në një lloj relativizmi, nuk i bëjmë mirë sjelljes së PD. Duhet të nisemi nga principi i demokracisë së institucionit, së dyti, demokracitë nuk rrëzohen, rrëzohen diktaturat, regjimet. Askush nuk mund të thotë sot që jemi në një sistem jodemokratik. Të thuash që Shqipëria sot është regjim, është një gjë jo korrekte.

Lubonja: Demokracinë e kuptoj si ndarje pushtetesh. Në Shqipëri nuk ka ndarje pushtetesh. Demokraci do të thotë ‘pushtet i popullit’. Nuk është demokraci as në këtë kuptim. Nëse marrim parasysh rolin e ndërkombëtarëve, mund të themi ndërkombëtarokraci, por prapë jo demokraci, pasi ata kanë 30 vjet që vendosin për fatet tona. Jemi në një trend për kapje, edhe drejtësia u kap. E provoi edhe procesi i Tahirit së fundi. Këtu te ne nuk ndërron dot pushtetin. Ne nuk japim asnjë garanci dhe akoma presim çfarë tha SHBA, BE, ODIH, për të bërë politikë. Kjo është situatë mjerane.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb