Demokratët e Kuçovës ka denoncuar sot një tender të bashkisë Kuçovë për rrugën e fshatit Goraj, në ish/njësinë administrative Perondi. Ka qenë Rexhep Hadëri, pjesë e Shtabit elektoral të kandidatit të djathtë Lefter Maliqi, ai që ka denoncuar këtë tender abuziv. Sipas Hadërit, është e pashpjegueshme vlera e tenderit të dhënë nga bashkia e Kuçovës për vetëm 1 km rrugë rurale, rrugë që-sipas tij-nuk ka nevojë për punime parapake.
“Rruga ka dy faza gjatë shtrimit të saj, fazën e parë që është faza përgatitore dhe fazën e dytë, atë të shtrimit me asfalt. Në fazën përgatitore investimi për këtë rrugë është “zero” sepse të gjitha parametrat janë të plotësuara, rruga është ekzistuese, me bazament, nuk ka nevojë as për gërmime, as për mbushje dhe urat janë të bëra”, -ka thënë Hadëri. Duke shpjeguar edhe vlerën e disa rrugëve të bëra vite më parë e që kanë qenë me gjatësi më të madhe dhe me vlerë më të vogël, Hadëri pohon se ky tender është një “vjedhje e hapur” e bashkisë Kuçovë dhe i bën thirrje SPAK të nisë menjëherë hetimet për këtë tender.
“Unë i bëj thirrje SPAK-ut që të bëjë gati dosjen për këtë rrugë sepse është një vjedhje skandaloze. Kjo rrugë është 1 km dhe me 4 metër gjerësi, që do të thotë se vetëm për 4 000 mijë metër katror asfalt janë tenderuar nga bashkia rreth 350 milion lekë, ndërkohë që vlera reale për asfaltimin e saj arrin deri në 120 milion lekë. Pra, mbi 220 milion lekë në këtë rrugë janë vjedhje. Ky është një krim pasi janë duke u vjedhur paratë dhe taksat e popullit. Në një kohë kur njerëzit s’kanë bukë të hanë dhe pensionistët s’kanë lekë as të blejnë ilaçet, kryetari i bashkisë Kuçovë vetëm vjedh dhe abuzon me taksat e qytetarëve. Është skandal i madh, dhënia e 350 milonë lekëve për asfaltimin e 1 km rrugë është një nga vjedhjet më të mëdha në bashkinë e Kuçovës dhe për këtë arsye kryebashkiaku i Kuçovës duhet të përgjigjet para drejtësisë”, -ka thënë Rexhep Hadëri.
Bashkia e Kuçovës e ka kryer tenderin për “rikonstruksionin e rrugës së fshatit Goraj”, me gjatësi rreth 1.5 km një muaj më parë, pikërisht në 8 Mars 2023 dhe fondi limit i tij ishte rreth 375 milion lekë. Në garën për këtë tender morën pjesë 12 kompani, por të gjitha u skualifikuan nga gara dhe si gjithmonë tenderi u fitua nga firma “Coloseu”, që ka fituar edhe pjesën më të madhe të tenderave në këtë bashki.
(BalkanWeb)