SHKODER – Banorët e lagjes “Ahmet Haxhia” në qytetin e Shkodrës që kanë shtëpitë në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi”, mëngjesin e ditës së djeshme kanë bllokuar punimet që po bëhen për rikonstruksionin e tij. Ata nuk kanë lejuar fadromën që të kryejë punimet, ndërsa kanë kërcënuar se do të përshkallëzojnë protestat. Shkak i irritimit të banorëve është bërë mosmarrja e dëmshpërblimeve. Ndërkohë që kërkojnë projektit, që të mos u prishen banesat nga ndërtimi i parkingut të stadiumit.

“Firma nuk ka paraqitur asnjë projekt, vetëm na ka njoftuar se shtëpitë do të prishen, në një kohë kur i kemi me tapi dhe dokumentacion të rregullt. Jemi të vendosur që mos i ndërpresim protestat tona. Nuk do të lejojmë që punimet të rinisin derisa të dëmshpërblehemi. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që na premtoi se do të dëmshpërblehemi deri në qindarkën e fundit. Por gjithçka paska qenë gënjeshtër që ne e besuam”, thanë banorët që preken nga projekti për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” në kryeqendrën e veriut.

Gjithashtu, banorët deklaruan se gjatë ditës së hënë kanë vendosur piketat e stadiumit ngjitur me muret e banesave të tyre. “Me sa duket, deri tani na kanë vënë në gjumë ose kanë ndryshuar sërish projektin, sepse në fillim na u premtua gjë tjetër. Si mundet të vijnë për të prishur muret dhe shtëpitë apo të futen në tokë me tapi pa sjellë asnjë projekt apo pa na dhënë asnjë dëmshpërblim? Kjo është e jashtëligjshme!” – pohoi banori Sezai Shpuza. Punimet për stadiumin rinisën pas pritjes së daljes së analizave gjeologjike dhe sizmike.

Por, sapo firma ka nisur punën, është penguar. Janë afro 15 banesa mbi 100- vjeçare që do të shemben për të ndërtuar parkingun për stadiumin. Për këtë situatë banorët kanë njoftuar deputetët e PS, PD dhe LSI të qarkut Shkodër si dhe kreun e Bashkisë, Lorenc Luka. Por, deri tani nuk kanë marrë ende përgjigje se çfarë do bëhet me shtëpitë e tyre.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb