Trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, fëmijët dhe nipërit duhet të plotësojnë dokumentet brenda muajit për të marrë dëmshpërblimin në momentin që Ministra e Financave do të çelë fondin për pagesa. Rreth 2 mijë trashëgimtarë ligjorë të ish-të dënuarve politikë duhet të plotësojnë dokumentacionin në bazë të kategorisë ku përfshihen sipas përcaktimeve ligjore. Ministria e Financave bën të ditur se çdo trashëgimtar ligjor, që është listuar në një prej kategorive për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, duhet të postojë dokumentacionin e kërkuar.

Përfituesit që jetojnë
Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë duhet një akt trashëgimie, certifikatë vdekje të të dënuarit, certifikatë trungu të të dënuarit, numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokure dhe dokument identifikimi për përfituesit. Në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të radhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim në bazë të ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007 (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë.
Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes. Ministria e Financave bën të ditur se në rastet kur ish-i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për t’u paguar, vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët, pa përjashtim, do të kenë dorëzuar (postuar) dokumentacionin e përmendur më lart për të gjitha rastet e trashëgimisë. Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë.

Trashëgimtarët
1. Për persona ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç:
a. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
b. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur.
c. Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur.
d. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).
2. Për persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç.
a. Certifikatë vdekjeje të personit ish-të dënuar.
b. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish-të dënuar që nuk jeton më.
c. Certifikatë familjare të ish-të dënuarit ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur.
d. Dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor.
e. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më.
f. Nr. llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re) në emër të kujdestarit ligjor të të miturit.

Listën e plotë me emra do ta gjeni në numrin e sotëm të “Gazeta Shqiptare” print, në çdo pikë shitje te gazetave.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/03/11/emrat-ish-te-perndjekurit-dokumentet-per-2-mije-trashegimtare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb