Dëmtimet janë shndërruar në një “makth” për Vllazninë këtë sezon. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, shkodranët kishin mungesa të rëndësishme titullarësh.
Duke nisur nga mbrojtësit Gurishta dhe Stojanoviç, e ndërsa në sulm mungonte sërish Gruda dhe Matouti. Me këtë të fundit që është shndërruar në një “mister” për 9 herë kampionët e vendit. Gjithashtu, së fundmi nga dëmtimi është kthyer Krymi, i cili u hodh në fushë në pjesën e dytë ndaj Dinamos.
Dukej qartë që mesfushori nuk ishte në ritmin e lojës dhe do ende kohë të marrë formën e duhur. Në ndeshjet e ardhshme të sigurta do të jenë mungesat e Gurishtës dhe Grudës. Të dy futbollistët e kanë mbyllur këtë vit kalendarik dhe pritet të kthehen në vitin 2025. Po ashtu këto dy ditë do të shihet edhe gjendja e Stojanoviçit. Me mbrojtësin serb që po shfaq probleme të përsëritura nga java në javë. Reparti i mbrojtjes duket më “i godituri” te Vllaznia.
Kjo pasi në ndeshjen e fundit edhe Juriç dhe Bajrami kanë ndier shqetësime fizike dhe po ashtu nuk garantojnë 100% se do të jenë të gatshëm për duelin e së dielës kundër Elbasanit. Me të vërtetë “dhimbje koke” për trajnerin Brdariç në këto momente. Gjermani, jo vetëm duhet të gjejë “kurën” për të kthyer ekipin te rezultatet pozitive, por duhet të gjejë edhe formacionin ideal të skuadrës, duke qenë se mungesat pritet të jenë të shumta në këtë fund viti për shkodranët.
Mungesat e shumta që do ketë Vllaznia në duelet e radhës e po ashtu forma jo e mirë e disa futbollistëve, duket se do ndryshojnë formacionin te Vllaznia. Kështu disa lojtarë do të ulen në stol për shkak të paraqitjeve e disa do të mungojnë nga dëmtimet. Në ndeshjen ndaj Elbasanit i sigurt në portë do jetë Kristi Qarri.
Në mbrojtje, sërish nga e djathta do të luajë Sala, i cili zëvendëson Gurishtën që ka mbyllur vitin. Qendërmbrojtja është reparti me më shumë dilema, sepse Juriç, Stojanoviç dhe Bajrami kanë shfaqur të gjithë probleme fizike. Melos Bajrami thuajse e ka humbur Elbasanin. Në dyshim janë Juriç dhe Stojanoviç prej shqetësimeve fizike. Juriç ka më shumë shanse të bëhet. Nëse nuk ia del, do të luajë Pusi dhe Spahija në qendër të mbrojtjes. Edhe përshtatja e Krymit në qendër është një opsion.
Repartin e prapavijës e kompleton Jago majtas. Mesfusha po ashtu duket se do ndryshojë, pasi Deliu dhe Kahrimanoviç pritet të ulen në stol nga Brdariç. Me Krymin dhe Malën i cili do të spostohet në mesfushë, së bashku me Qaton do të kompletojnë repartin.
Gjithashtu Balaj do të udhëheqë sulmin, me Dodajn majtas dhe Çobën, i cili ka fituar avantazh ndaj kolegëve të tij për të qenë titullar ndaj Elbasanit.