Nga FATMIR POPJA*

 

ELBASAN – 126 stola të thyer nga tifozët e skuadrave të Elbasanit dhe Tiranës është bilanci i dëmeve të evidentuara gjatë sfidës së zhvilluar mbrëmjen e të dielës midis tyre në stadiumin kombëtar “Elbasan Arena”.

Nga verifikimi i dëmeve rezultoi se 5 stola ishin shkatërruar në krahun ku qëndruan verdh-e-blutë dhe pjesa tjetër ishte tek bardh-e-blutë. Këtë bilanc zyrtar e raportoi gjatë një prononcimi për mediat, Drejtori i Stadiumit ” Elbasan Arena”, Dritan Kadia.

Përpos tyre janë djegur edhe disa kabllo të energjisë elektrike, të cilët shërbejnë për të ndezur monitorët si edhe reklamat që ndodhen në të gjithë perimetrin e stadiumit.

“Kemi parë dëmet që janë bërë nga ana e dy tifozerive, të cilat më shumë sesa në vlerë monetare, mund të them që kanë dëmtuar më shumë moralisht këtë impiant,”- deklaroi para mediave ai. – Është për të ardhur keq, sepse në fushë lojtarët treguan vërtet “fair-play” midis tyre, por tifozët nuk u përmbajtën dhe shkatërruan stolat e stadiumit, si edhe pjesë të tjera, por edhe në terrenin sportiv.”

Më pas, i pyetur se kujt i takon përgjegjësia, Kadia shprehet se nuk mund ta ndajë dot, por janë pamjet filmike ato që do ta tregojnë dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. “Nuk mund t’ju them tani se cilët e kanë fajin apo se kush e nisi sherrin, por gjithçka është filmuar dhe do të evidentohen edhe personat që kanë inicuar dhe kanë shkulur stolat nga stadiumi. Unë e thashë edhe më sipër, më shumë na rëndon ai dëmi moral që është shkaktuar, pasi “Elbasan Arena” është një impiant që të ofron shumë kushte komode dhe nuk është mirë që të prishet në këtë mënyrë”, tha më tej ai.

Përsa i përket faturës financiare që pritet të ketë, Kadia nuk dha një shifër, pasi është ende herët për të dalë në një konkluzion të tillë. “Shifër konkrete sesa mund të shkojnë dëmet nuk di të them, sepse duhen bërë përllogaritjet, por të gjitha ato që janë prishur do të riparohen, sepse stadiumi do të rikthehet në kushtet që ka qenë”, – deklaroi Kadia.

ar.sh/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: