Dëmtim i gradës së ulët në muskujt soleus të pulpës së djathtë. Ky është rezultati i rezonancës magnetike, së cilës iu nënshtrua të hënën në mëngjes Christian Pulisic, i cili u detyrua të largohej nga loja në pjesën e parë të ndeshjes Atalanta-Milan.
Amerikani do të mungojë në përballjen kundër Crvena Zvezdës në Champions dhe në dy ndeshjet pasuese, përkatësisht kundër Genoa (të dielën) dhe Verona në “Bentegodi” (më 20 dhjetor). Ka gjasa që ai të jetë në dispozicion të Fonseca për ndeshjen Milan-Roma më 29 dhjetor, pak para nisjes së skuadrës kuqezi drejt Arabisë Saudite për të marrë pjesë në Superkupën e Italisë.
Më 3 janar është planifikuar gjysmëfinalja kundër Juventusit. Në rast të një fitoreje, Milani do të luajë finalen kundër njërës prej gjysmëfinalistëve të tjerë mes Interit dhe Atalantës. Pas një jave, Pulisic do t’i nënshtrohet një kontrolli të ri. Fonseca, i cili shpreson ta ketë në dispozicion sa më shpejt, po mendon tashmë për ndryshime në sulm, pas mungesës së ishlojtarit të Chelsea dhe Borussia Dortmundit.
Është e mundur që trajneri portugez të rishfaqë Abraham si sulmues qendror, i mbështetur nga Morata në rolin e organizatorit të lojës. Alternativë tjetër? Loftus-Cheek mund të luajë pas sulmuesit kryesor, ndërsa Chukwueze mund të zëvendësojë Musah në krah për të rritur forcën sulmuese të Milanit.