Partizani është tashmë në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen e së premtes në orën 19:00 kundër Vllaznisë në stadiumin “Arena e Demave”.
Trajneri Veselinoviç ka drejtuar dje seancën e radhës, ku edhe ka nisur të zbatojë planin e hartuar me stafin në lidhje me përgatitjet e ndeshjes ndaj rivalëve direkt.
MUNGESAT – Gazeta mëson se Kristian Mba nuk e ka të mundur të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë. Sulmuesi nga Nigeria mësohet se ka një shqetësim fizik, shkalla dhe specifika e të cilit nuk është mësuar ende. Sakaq, përveç tij, jashtë kësaj ndeshjeje janë edhe Hadroj dhe Kote. Pukjani ka pësuar një tërheqje muskulore, ndërsa Kote po rikuperon një frakturë në gishtin e këmbës. Të tre këta lojtarë janë të rëndësishëm dhe mungesa e tyre ndikon shumë.
NË DYSHIM – Raportohet gjithashtu se pas ndeshjes kundër Elbasanit, Buxhelaj ka shfaqur një shqetësim në gju dhe nisur nga kjo stafi mjekësor dhe teknik po e ndjekin me kujdes situatën e tij. Në pamje të parë nuk duket diçka serioze, por rreziku është ende prezent. Gjithsesi, ai është planifikuar si titullar.
RIKTHIMET – Lajmi i madh është Arinaldo Rrapaj. Vlonjati ka arritur të rikuperojë plotësisht goditjen e pësuar në kavilje dhe është rikthyer në dispozicion. Mesfushori dje është stërvitur normalisht me grupin dhe shanset që ta nisë si titullar janë të mëdha. Të premten ai luan ndeshjen e fundit me Partizanin, para kalimit te Kolos Kovalivka. Rikthim me vlerë është edhe ai i Prekës. Ky i fundit tashmë ka kaluar problemet me virozat dhe është plotësisht i gatshëm, edhe për të startuar nga minuta e parë. Trajnerit Veselinoviç me siguri i kthehet një pjesë e buzëqeshjes.
FORMACIONI – Nisur edhe nga fakti se ndaj Elbasanit gjërat nuk shkuan në perfeksion, 11-shja e kuqe pritet të pësojë ndryshime në të tria repartet. Mungesat janë gjithashtu një shkaktar. Në portë Qirko është bërë i palëvizshëm tashmë, teksa në mbrojtje pritet vetëm një lëvizje. Me rikthimin e Prekës, stafi teknik pritet të ulë në stol Sembene, teksa Janjeva, Domgjoni dhe Buxhelaj janë projektuar titullarë. Janjeva fiton sërish duelin me Osmanllarin për anën e djathtë. Në rast se vlonjati nuk ia del, pritet që të luajë Bytyçi, të cilin Veselinoviç nuk e ka në listën e të preferuarve, por mbetet opsion. Në mesfushë rikthehet Rrapaj, i cili pritet të shoqërohet nga Ismaili dhe Taipi. Ky i fundit ka fituar duelin me Mehmetin, që në javët e fundit nuk ka ofruar garanci sa i përket aspektit fizik. Në sulm në mungesë të Mba pritet të luajë Bintsuka, teksa Cara dhe Zeka janë fiksuar në 11-she prej kohësh.