TIRANË

“Dëmtuar gjatë rrugës” është romani më i ri i shkrimtarit Besnik Mustafaj që është prezantuar edhe në “Panairin e Librit”. Mustafaj ka treguar disa grimca nga ky libër dhe ka shpjeguar përse ky titull.

“Ky është një roman që flet për historinë, jetën e shqiptarëve nën diktaturë por jo atyre që kanë qenë në vatrën e dhunës, as të burgjeve politike, as të internimeve politike, por për atë pjesë njerëzish të cilët e mendonin veten si pjesë të sistemit por njëkohësisht gjendeshin në një ingranazh frike të përhershme, shtypje të përhershme. Nuk flas për njerëzit me poste por të thjeshtë. Personazhi kryesor quhet nëna ime, domethënë nëna e narratorit”, tha Mustafaj.

Ai tregoi se nuk është as roman biografik dhe as autobiografik. “Kam zgjedhur nënën sepse amësia në mitologjinë shqiptare, në kulturën shqiptare, në traditën shqiptare ka një kuptim të shumëfishtë, edhe konkret sepse të ka bërë kokën edhe simbolik me të gjitha virtytet dhe veset që të përcjellë. I kam vendosur në raportin nën e bir, sepse i biri shkruan romanin e jetës së nënës së vet, të frikës së saj, të anktheve të saj, të ndrydhjeve të saj. ‘Dëmtuar gjatë rrugës’ sepse në fund të fundit dhe ka si nëntitull një roman me fund të lumtur sepse fundi i lumtur është fakti që romanin e saj e shkroi i biri. Pra, ajo nuk mbeti gjatë rrugës. U dëmtua gjatë rrugës por doli megjithatë gjallë dhe e aftë me një djalë sepse fillon kur ky ishte foshnje dhe mbaron kur ky djalë është shkrimtar, në një moshë të pjekut. Është në një farë mënyre një sagë familjare por në raportet nënë-bir.
Ankthet janë pasojat e asaj kohe në libër. Titulli do të thotë që paketa u dëmtua, por malli arriti në destinacion. Do të jem çdo ditë në panair, rreth orës 10-12 paradite dhe në mbrëmje”, tha Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb