Tirana është e detyruar të luajë ndeshjet e këtij sezoni pa tifozë, për shkak të incidenteve të shkaktuara në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Klubi bardheblu nuk ka “qëndruar duarkryq” por nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar dënimin e Disiplinës si tejet të ashpër dhe për këtë motiv asgjë nuk do të mbetet më kaq, por do kërkohet drejtësia nëpërmjet apelimit.
REAGIM ZYRTAR
Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik pasi është njohur me vendimin e Komisionit të Disiplinës ditën e djeshme, e cila dënon klubin dhe gjithë dashamirësit e futbollit për të gjithë pjesën e mbetur të sezonit, pas incidentit te ndodhur në ndeshjen KF TIRANA- FK VLLAZNIA, se klubi e apelon ketë vendim.
E pakuptimtë nga FSHF të dënoje një qytet të tërë për një ngjarje të zbardhur nga policia e shtetit dhe organet kompetentë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Klubi i futbollit Tirana gjithmonë është distancuar nga aktet e dhunës dhe nga çdo sjellje apo ngjarje e cila cenon lojën e luajtur fair play. Kjo qëndresë ndaj sjelljeve të papërshtatshme është reflektuar nga masat e marra nga klubi të cilat janë gjithmonë rigoroze për mbarëvajtjen normale të një ndeshje futbolli. Episodi i ndodhur u lokalizua dhe u zbardh menjëherë nga kompania security e kontraktuar, dhe më pas nga autoritetet policore e cila ka dalë dhe me deklaratë zyrtare nga ana e saj.
Ngjarje te tilla të dënueshme nga individë të caktuar mund te ndodhin në çdo ndeshje të mundshme, përfshi dhe ato të ndeshjeve Ndërkombëtare, por nuk e konsiderojmë të drejtë dënimin e një komuniteti të gjerë ku përfaqësohet nga mijëra qytetarë, duke i privuar gjithë sezonin për te ndjekur nga afër skuadrën e tyre.
Ne besojmë se ky akt, që nuk është as i pari, as i fundit e as më i rëndi në stadiumet tona nuk mund të penalizojë një qytet të tërë.
Një veprim i papërgjegjshëm si pasojë e një gjesti individual të pamenduar nuk mund të hedhë poshtë me një të rënë të lapsit qindra e mijëra qytetarë tiranas e jo vetëm, që i japin jetë çdo javë stadiumeve shqiptare.
Si mund ta hedhë poshtë një kapsollë gjithë punën e bërë nga klubi ynë për vite me rradhë pikërisht për të sjellë në stadium vajza, djem e çdo moshë?!
Ne i kërkojmë FSHF-së që të rimendojë qëndrimin e saj në respekt të mijëra tifozëve të përkushtuar që meritojnë të jenë pranë ekipit të cilit i kushtojnë një pjesë të jetës së tyre. Këta tifozë nuk përfaqësohen nga një veprim i nxituar dhe 1 kapsollë. Ata janë publiku që gjallon sportin tonë. Janë publiku që ëndërrojnë të mrekullojnë qindra fëmijë e të rinj që stërviten për t’u bërë futbollistë. Janë po ata që mbushin stadiumin e sheshet sa herë luan kombëtarja.
Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin, pasi besojmë se sporti është lënë në harresë ndër vite, dhe si një e mirë publike, të gjithë duhet t’i kthejnë sytë nga sporti jo t’i largojmë ato.
Presim sa më shpejt një reagim pozitiv nga ana e Federatës për një reflektim rreth këtij vendimi I cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e të ardhmes së sportit në Shqipëri.
Kemi heshtur gjithmonë përpara fakteve të cilat kanë arritur të provokojnë në limite tifozerinë e klubit tonë, një tifozeri e cila ka qenë shembull i qytetarisë në mbështetje të skuadrës së zemrës në të gjithë historinë e klubit tonë; kjo pasi gjithmonë kemi zgjedhur të mirën e përgjithshme të zhvillimit të sportit në vend. Ne si klub gjithmonë kemi kuptuar se futbolli luhet për tifozët dhe kurrë nuk kemi dashur te privojmë asnjë tifozeri te jetojë çdo ditë me skuadrën e tyre respektive.
KF Tirana funksionon si një familje me komunitetin e saj dhe asnjëherë nuk harron se veprimet e klubit peshojnë në mijëra zemra që mbushin shkallët e stadiumit. Nuk mund të lejojmë që fryma me të cilën tifozët bërtasin çdo vit të vidhet dhe injorohet, por t’i japim kuptim zërit të tyre dhe t’i kuptojmë, dëgjojmë e mirëpresim, pa u treguar indiferent.