Ka reaguar mjaft ashpër kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, që nuk ka ngurruar ta cilësojë Federatën Shqiptare të Futbollit si një gjykatë e kohës së monizmit, që të dënonte në mënyrë ekstreme.

Në një intervistë dhënë për “VipSport”, ai ngushëllon presidentin Qarri dhe deklaron se federata ka paracktuar çdo gjë, duke e futur Kamzën në listën e skuadrave që duhej të binin nga kategoria. Ndaj në këto kushte, Mziu paralajmëron shkrirjen e FK Kamzës.

Z. Mziu, për Kamzën sot nuk ka ardhur një lajm i mirë nga FSHF…

Nga qeveria dhe Federata e Futbollit nuk priten lajme të mira. E kanë tepruar pak. Lexova pak vendimet dhe m’u duken njëlloj si ata të kohës së Enver Hoxhës. Federata bënte dënime, pezullimet, burgosjet, Tani po mendoj edhe një herë mos është atje ndonjë nga ato të kohës së Enver Hoxhës, jep dënime si të tyret. Nuk kam parë ndonjëherë një dënim më skandaloz në këto 30 vite demokraci, se sa ka ndodhur me Kamzën këtë vit.

E prisnit këtë vendim? Çfarë ndodhi sipas jush? Askush nuk është pro dhunës dhe normalisht dënojmë dhunën me çdo formë ët mundshme.

Së dyti, besoj që Federata gjatë gjithë kohës e kemi parë se sa bashkëpunuese ka qenë me qytetin e Kamzës. Së treti, dhënia e asaj penalltie, nuk ka specialist apo qytetar i thjeshtë që të mos e shohë që ishte një angazhim i Federatës bashkë me klubin gladiator Laçi që të japë me patjetër pikë. Shtohen 6 minuta dhe në minutën e 97 jepet një penallti e paqenë. Dhe së fundmi, besoj që në mbyllje të ndeshjes, pothuajse të gjithë futbollistët ishin kundër dhunës. Por veprimi që kreu gjyqtari me shtesën me të pajustifikueshme të ndeshjes dhe me dhënien e penalltisë, ishte jo për ta zbritur një kategori më poshtë, por me qëllim që edhe të merreshin dënime më ekstreme, apo dënime kolektive.

Këto lloj dënimesh vetëm gjykatat e kohës së Enverit ndoshta mund t’i merrnin. Tani ekipi mbetet mes katër rrugësh pasi drejtuesit përballen me padi penale… Unë në fakt shpreh edhe një herë keqardhje për presidentin e ekipit, Naim Qarri, i cili jam i sigurt se ka qenë në hall të madh me Federatën e Futbollit sepse në Federatë paracaktohen kush do të jetë fituesi, kush do të marrë pjesë në Kupat e Europës, kush duhet të zbresë e me radhë. Besoj edhe reagimi nuk ka qenë i çastit, është i gjithë asaj të krijuar gjatë vitit. Në këto kushte ka ardhur edhe distancimi im nga ekipi, sepse është e paracaktuar në tavolinë gjithçka. E dini mirë që edhe në vitin e kaluar, në vend që të ishim pjesë e Kupave të Europës, pati një angazhim maksimal të federatës për të na zbritur një kategori më poshtë kështu që nuk janë rrethanat që të jemi pjesë e Superiores. Me këtë dënim që ka dhënë sot Federata, tregon edhe një herë dashamirësinë e saj ndaj ekipit të Kamzës. Të tilla fenomene besoj se kanë ndodhur edhe jashtë Shqipërisë, unë ju kujtoj vetëm rastin e penalltisë që u dha me Interin. Ju e patë se sa u dënua gjyqtari për veprimin që kreu. Nëse paskan bërë faj, po gjyqtari që dha në këtë ndeshje kaq minuta shtesë e një penallti të paqenë, pse nuk ka marrë qoftë edhe një dënim simbolik?

A nuk është ai shkaktari kryesor, nuk duhej që të vlerësohej edhe sjellja e tij apo ajo që nxiti gjithë këtë dhunë që shpërtheu? Me pak fjalë klubi i Kamzës do largohet nga aktivitetet futbollistike?

Në këto kushte, meqë Federata është e pritur për të dhënë dënime ekstreme për qytetin e Kamzës, që Federata të ndjehet e qetë dhe pa probleme, nuk e vazhdojmë fare mbështetjen e futbollit. Do të gjejmë mënyra të tjera që të argëtojmë qytetarët e Kamzës nëpërmjet sportit e futbollit, por jo nëpërmjet Federatës. Meqenëse do Federata, mbase kjo do të jetë zgjidhja më e mirë për Federatën, ne do të mundohemi që të përdorim mënyra të tjera të sportit të futbollit, basketbollit, volejbollit…

A mund të më tregoni një rast tjetër gjatë gjithë këtyre viteve që të ketë ndodhur dhunë në futboll në qytetin e Kamzës?

Vetëm vitin e kaluar, pas mbarimit të ndeshjes është hedhur një shishe ujë në stadium dhe jemi dënuar 4 ndeshje pa tifozë. Ju kujtoj se fiks një javë më mbrapa shkuam në Shkodër, jo se dua të akuzoj shkodranët, por atje u fut gjithë stadiumi në fushë. Jo vetëm që nuk u dënua, por nuk pati asnjë lloj reagimi. Pra ne hedhim një shishe në stadium kurse atje u futën të gjithë staf e tifozë e nuk pat dënim. Kjo do të thotë që federata është selektive dhe në këto kushte nuk ia vlen.

Unë jam transmetues i dëshirave të qytetarëve të Kamzës. Para 3 apo 4 vitesh, stadiumi i Kamzës mbushej plot se nuk kishte ambicie Federata të merrej me ne. Kurse këto dy vite që jemi në Superiore nuk mbushet stadiumi, se gjithçka është e paracaktuar. Meqë njerëzit nuk e cilësojnë më një sport argëtues, por një sport i cili bëhet sipas orekseve të Federatës, nuk ia vlen për të investuar dhe për t’u marrë me këtë pjesë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb