Ish-kryeministri e ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë dënuar me një total prej 81 vitesh burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.
Vendimi ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa mes tyre ka reaguar edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Ahmeti e cilëson vendimin si të padrejtë dhe shprehu zhgënjim për dënimin e Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve për maturi dhe unitet, duke theksuar se UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës e se duhet pritur edhe vendimi i Apelit. Ahmeti tha gjithashtu se procesi gjyqësor nuk e mbështeti akuzën për trafikim organesh dhe se të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Postimi i Ali Ahmetit
Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë.
UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit; dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësine e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale.
Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh.
Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund.
Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve.
Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel
