Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje-Hercegovinë, Ratko Maldiç.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Blinken shkruan se dënimi i ish-komandantit Maldiç, sjell një farë paqeje për viktimat dhe të dashurit e tyre.
Ai shtoi më tej se SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi.
“Dënimi i ish komandantit të ushtrisë serbe boshnjake, Ratko Mlladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sjell një farë mase paqeje për viktimat dhe të dashurit e tyre. SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi”, shkruan Blinken.
Kujtojmë se Ratko Maldiç akuzohet për gjenocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes në 1995 si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë. Për shumë vite ai u arratis në Beograd derisa në 2011 u arrestua në një fermë në Serbinë veriore dhe iu nënshtrua një procesi gjyqësor që zgjati nga 2012 në 2017.
Në 2016 u dënua dhe shefi i tij, Radovan Karaxhiç që po vuan gjithashtu dënimin me burgim të përjetshëm.
Lufta e Bosnjes la mbi 100 mijë të vdekur e miliona të zhvendosur teksa Mladiç tashmë dënohet me burgim të përjetshëm si një nga fajtorët kryesorë të vrasjeve të burrave, grave e fëmijëve në 1995.
(BalkanWeb)