* Xhafaj: Ndryshimet pas konsultimeve me grupin e interesit, opozita dakord
* Xhafaj: Qeveria tërhoqi ligjin për kriminalizimin e shpifjes, do sjellë apo nuk do e sjellë nuk e dimë
*Një tjetër tërheqje e Qeverisë është bërë në ndryshimin e Kodit të Punës

TIRANË- Partia Socialiste është tërhequr nga ndryshimet në kodin penal për kuponin tatimor. Pas kundërshtive brenda maxhorancës, PS duket se ka hequr dorë nga dënimi maksimal që parashikonte deri në 3 vite burg.

Mësohet se ndryshimi do të jetë në nenin ku parashikohet, nga gjobë deri në 3 vite burg dhe tashmë do të jetë nga gjobë deri 1 vit burg. Pra, mosdhënia e kuponit është tashmë kundravajtje administrative. Pas kësaj, duket se aleatët e PS-së, LSI dhe PDIU do të votojnë pro këtyre ndryshimeve në Kodin Penal.

Në variantin e ardhur nga Qeveria parashikohej që për biznesmenët që nuk jepnin kuponin tatimor mund të dënoheshin me gjobë deri në 3 vjet burg. Por ky amendament u kundërshtua ashpër fillimisht nga PDIU ku Shpëtim Idrizi pas një takimi me Ilir Metën deklaroi se nuk do ti votojë këto ndryshime. Kjo bëri që PS-­ja të bënte një hap pas dhe në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve propozoi uljen e afatit maksimal të burgut nga 3 në 1 vit. Ky propozim u pranua nga aleatët, të cilët votuan pro.

XHAFAJ: VENDIMI PAS KONSULTIMEVE ME GRUPET E INTERESIT
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se tërheqja nga ndryshimet në kodin penal për dënimim deri në 3 vite burg është bërë pas konsultimeve me grupet e interesit dhe jo nën ndikimin e presioneve. Xhafaj tha se ky ndryshim është mbështetur edhe nga opozita.

“Nuk ka presione. Ligji është konsultuar me grupet e interesit. Ky ligj ka ngrënë disa seanca në parlamentin shqiptar. I është nënshtruar një debati të gjerë dhe përfundimisht është bërë një ndryshim që ne na duket i arsyeshëm, ndryshim që e mbështeti edhe opozita edhe grupet e interesit”, deklaroi Xhafaj.

Përsa i përket ligjit për kriminalizimin e shpifjes, Xhafaj tha se do të flasë për të në momentin që shkon në komision, pasi tashmë është tërhequr nga qeveria.

“Po sqaroj, një ligj që nuk ka ardhur në proces shqyrtimi, cili mund të jetë mendimi im? Qeveria ka thënë që e tërheq, do e sjellë apo nuk do e sjellë nuk e dimë. Kur të vijë do e shqyrtojmë. Si dëshironi ju ta bëj ligjin, se jeni grup interesi, ju kam thirrur edhe ju. Ju këshilloj të flisni për gjëra që i njihni. Projektligji kur të vijë, do shqyrtohet, do jap mendimin tim”, deklaroi Xhafaj.

NDRYSHIME EDHE NË KODIN E PUNËS
Një tjetër tërheqje e Qeverisë është bërë në ndryshimin e Kodit të Punës lidhur me rikthimin në punë të punonjësve që kanë fituar të drejtën në Gjykatë.
Fillimisht Qeveria parashikonte që megjithëse një punonjës mund të fitonte të drejtën për t’u rikthyer në punë në administratë, ai nuk mund të kthehej si pasojë e strukturave të plotësuara. Por ky amendament u kundërshtua ashpër nga opozita dhe në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve ai u ndryshua duke rikthyer edhe njëherë variantin që është sot në Kodin e Punës. Sipas këtij ligji, institucioni është i detyruar të rikthejë në vendin e punës ku ka qenë, punonjësin që fiton të drejtën në Gjykatën Administrative.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb