KORÇE- Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Korçës, Arben Hyseni është dënuar dje nga Gjykata e Shkallës së Parë e këtij rrethi me 300 mijë lekë gjobë për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”.

Më 20 shkurt të këtij viti, Hyseni u përfshi në një ngjarje të ndodhur në qendër të këtij qyteti. Kujtojmë se gjithçka nisi pas gërvishtjes së makinës së ish-numrit dy të bluve nga një automjet tjetër, i cili drejtohej nga Tomi Misha. I riu i ka kërkuar falje Arben Hysenit, ndërsa ky i fundit menjëherë ka njoftuar punonjës të policisë që të shkonin në vendin e ngjarjes. Kanë qenë efektivët Robert Memelli dhe Nevzat Blushi ata të cilët, sapo kanë mbërritur tek eprori i tyre, i kanë kërkuar Mishës që ta shoqëronin në komisariat.

Ndërkohë, në debat e sipër, Memelli ka ushtruar dhunë mbi 33-vjeçarin, ndërsa Blushi i ka mbajtur duart të riut. E gjithë ngjarja është filmuar nga një qytetar, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes. Më pas, në vendngjarje ka shkuar edhe vëllai i Mishës, Ernesti, i cili, pasi kishte konstatuar se vëllai i tij ishte dhunuar, ka qëlluar me grushte Memellin.

Ndërkohë, sipas dëshmisë së 33-vjeçarit, gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar në komisariat, është dhunuar sërish nga punonjësit e policisë dhe më pas është transportuar në spitalin rajonal. Por, dëshmia e të riut Tomi Misha është cilësuar si e pavërtetë nga ana e uniformave blu, të cilët kanë pohuar se në asnjë rast nuk kanë ushtruar dhunë ndaj tij, madje as në vendin e ngjarjes.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: