TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me biznesin në lidhje me uljen e pragut të deklarimit të TVSH-së ku janë sqaruar sërish biznesmenët për deklarimin dhe janë dëgjuar problemet e tyre.

Ndërsa biznesi ka pasur disa ankesa, disa prej tyre në lidhje edhe me kasat fiskale dhe mirëmbajtjen që sipas tyre kanë kosto të lartë. Nga biznesi u shprehën shqetësime edhe për inspektorët tatimorë, sjelljen e paligjshme dhe kontrollet e tyre.

Nga ana tjetër kryeministri ftoi biznesin të denoncojë në platformën Shqipëria që duam, duke e krahasuar me ilaçin që mbyt mushkonjat.

“Nuk erdha këtu për të bërë një pasqyrë globale që nga raporti i DASH deri tek bashkitë sepse është një temë që bëhet e pamenaxhueshme. Erdha për TVSH-në dhe për të diskutuar në lidhje me gënjeshtrat dhe si të dalim nga bota e gënjeshtrave dhe që biznesi i vogël të relaksohet në lidhje me tavanin.
Dëgjova që janë rritur taksat. Më thuaj një taksë që u rrit për biznesin e vogël. Taksat për biznesin e vogël janë ulur. Flas për tarifat kombëtare, të bashkive janë më vete. Qeveria që unë drejtoj ka ulur taksat, nuk ka rritur taksat. Taksa e biznesit të vogël u bë 0, u hoq tatimi i dyfishtë. Është ulur 100% dhe 50%. Çfarë takse i është rritur? Thua për karburantit, është e vërtetë. Ne kemi vendosur një taksë tek karburanti për të mos vendosur taksa të tjera. Kur ne kemi marrë qeverinë në 2013 ishim në buzë të greminës, rrezikonim të mos jepnin rrogat dhe pensionet në fund të dhjetorit.
Kjo qeveri nuk ka rritur taksa, ka rritur vetëm dy taksa po më gjetët të tretën hajde. Çmimi i energjisë nuk është taksë.
Nëse ju keni njëherë problem me inspektorët për mënyrën se si sillen unë kam dy herë. Nëse ju ndiheni një herë të fyer unë jam dy herë i shqetësuar sepse është fytyra e shtetit. Doni t’i vini në rresht, e keni shumë të thjeshtë. Platforma shqipëria që duam është ilaçi që i ngordh të gjitha mushkonjat por duhet ta përdorni”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: