Deputetja e PD, Elda Hoti me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se banorët e Milotit kanë probleme të theksuara me ujin e pijshëm. Hoti thekson se prej muajsh, afër 1 mijë familje nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Ajo shprehet se pavarësisht se situata është e rëndë, bashkia nuk merr asnjë masë.

“Miloti, prej ditësh po përballet me mungesën e ujit te pijshem. Prej muajsh rreth 1000 familje kanë patur probleme me furnizimin e ujit të pijshëm. Tubacionet janë të shkatërruara deri në atë masë sa uji i pijshëm derdhet rrugëve. Pavarësisht ankesave, bashkia nuk merr asnjë masë, se për ta interesi i qytetarëve është i fundit.

Por Bashkia nuk nguron në asnjë moment t’u marrë paratë qytetarëve, por shërbime nuk kryen. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së investimeve në ujësjellës e cila sjell automatikisht ndotjen e burimeve dhe kjo ndikon në cilësinë e ujit duke rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve nga sëmundjet.

Duhet shtuar fakti se kjo është një zonë e varfër e cila e ka të pamundur blerjen e ujit të pijshëm për të plotësuar nevojat e përditshme familjare.

Është alarmante të besosh se asnjë investim i Ujësjellës Kanalizimeve nuk është bërë prej vitesh në këtë zonë dhe banorët përballen me mungesen e ujit të pijshëm, ndërsa faturimet vazhdojnë qetësisht.

I bëj thirrje autoriteteve përgjegjëse, në cilësinë e deputetet së zonës, të merren masa urgjente për furnizimin me ujë të banorëve. Kurbini nuk duhet më të jetë me i nëpërkëmbur. Ftoj banorët të reagojnë për të mbrojtur të drejtën e tyre. Partia Demokratike do të jetë në krah tuajin.

Gjithashtu u bëj thirrje banorëve të Kurbinit Mirditës dhe Lezhës të jenë të pranishëm në protestën kombëtare më 7 tetor përpara Kryeministrisë”, shkruan deputetja Hoti.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb