NGA: OLA MITRE
Fëmijëve të invalidëve të punës, që studiojnë nëpër universitete publike po u kërkohet të paguajnë taksën e shkollës, ndonëse kjo kategori përjashtohet me ligj nga pagesa”. Denoncimi vjen nga kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri, i cili përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” thotë se janë mbi 100 raste që janë përballur me këtë situatë absurde dhe antiligjore. Sipas Omurit, administratat e fakulteteve duhet të tërhiqen nga këto veprime dhe të zbatojnë ligjin.

Z. Omuri, çfarë po ndodh me fëmijët e invalidëve të punës, që studiojnë?
Ka më shumë se 10 ditë që në zyrën time paraqiten studentë me sy të përlotur, të dëshpëruar, të mërzitur dhe pse jo edhe pesimistë për vendin e tyre. Arsyeja është se burokratët e disa fakulteteve torturojnë studentët, duke iu bërë presion për pagesën e taksës së shkollës në arsimin e lartë. Kjo është absurde, pasi në VKM-në nr.866, datë 23.10.2015 ndër të tjera thuhet se: ‘Përjashtohen nga taksa për arsimin e lartë invalidët e punës dhe fëmijët e tyre’. Pra, kemi një të drejtë të fituar me ligj, ndërkohë që studentëve u bëhen presione. Përse bëhen presione ndaj studentëve?! Këto universitete, nëse nuk zbatojnë politikat e qeverisë shqiptare, të cilës qeverie zbatojnë?!

Çfarë u komunikohet konkretisht këtyre studentëve?
Është e papranueshme dhe e turpshme që disa fakultete u thonë: “Paguani njëherë taksën e shkollës dhe pastaj ne ua kthejmë. Këto janë iniciativa të tepruara, aspak ligjore dhe shumë diskriminuese.

Në cilat universitete keni konstatuar këtë situatë?
Më të theksuar këtë veprim e kanë Universiteti i Korçës dhe Universiteti Bujqësor i Kamzës. Por, nuk kanë munguar raste edhe në fakultete të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit të Sporteve, Tiranë. Janë duke lodhur studentët, pas asnjë lloj arsyeje.

Sa është numri i studentëve që kanë depozituar ankesa pranë jush?
Kemi mbi 100 raste të tilla dhe kjo është e papranueshme. Momentalisht sapo komunikova me kryetarin e Lushnjës dhe sërish kemi raste, që janë kthyer nga Universiteti Bujqësor i Kamzës. Unë nuk dua të aludoj, por ku shkojnë këto para që u merren këtyre studentëve, në kundërshtim me ligjin?! Përveç halleve që këta studentë kanë, me prindër invalidë, po iu shtohen edhe probleme të tjera.

Cila është kërkesa juaj?
Fillimisht dua të them se mosha mesatare e invalidëve të punës është 51 vjeç dhe kanë detyrime akoma për fëmijët. Pensioni i plotë është 120 mijë lekë të vjetra për familje me 5 vetë dhe për invalidët e pjesshëm është 70 mijë lekë të vjetra për një familje prej 5 vetash. Me se do e paguajë taksën e shkollës?! Kjo përtej faktit që kjo është një e drejtë që u takon me ligj. Si po mbështeten këto shtresa sociale: një invalid pa dorë apo pa këmbë, vetë i 5-të, me sëmundje profesionale, me çfarë parash ta arsimojë fëmijën?! Ndaj, u bëjmë thirrje studentëve, që në asnjë rast të mos bëhen palë me shkelësit e ligjeve siç janë në këtë rast administratat e fakulteteve. Çdo presion psikologjik i ushtruar nga administrata e fakulteteve për pagesën e shkollës së lartë është i paligjshëm. Iu bëj thirrje të tërhiqen nga këto veprime dhe të zbatojnë ligjin.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb