PL ka denoncuar krimin elektoral, që sipas saj në mënyrë të përsëritur, drejtorët patronazhistë të shkollave në vend, kërkojnë nga prindërit të dhënat e tyre për hartën elektorale.
Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i PL, Tedi Blushi tha se auditoret e shkollave, nga auditorë të dijes e mësimdhënies janë degjenuar në strofulla patronazhimi dhe makinerie elektorale, në funksion të vjedhjes dhe shkatërrimit me çdo mjet të një procesi të lirë e të ndershëm zgjedhor më 11 Maj.
Deklarata
Partia e Lirisë dënon me forcën më të madhe një krim të shëmtuar elektoral, të hapur, të përsëritur dhe të dënueshëm penalisht të “Rilindjes”, që auditoret e shkollave, nga auditorë të dijes e mësimdhënies janë degjenuar në strofulla ordinere patronazhimi dhe makineri të fëlliqur elektorale në funksion të vjedhjes dhe shkatërrimit me çdo mjet të një procesi të lirë e të ndershëm zgjedhor më 11 Maj.
Në kushtet kur arsimi shqiptar është në fund të listës për cilësi në sistemin arsimor në rang botëror siç e dëshmojnë vit pas viti rezultatet e testit ndërkombëtar të PIZA-s, është i fundit në rajon dhe Europë sa i përket nënfinancimit siç konstatoi së fundmi edhe UNESCO, me vetëm 3.1% të PBB, disa herë më pak edhe se në vitin 2010, është i fundit në rajon dhe kontinet për kërkimin shkencor, është vendi i fundit në rajon dhe Europë sa i përket nivelit skandaloze të pagave të mësuesve e pedagogëve që vijojnë të kërkojnë mbështetje të paktën sa kolegët e tyre në Kosovë, “Rilindjen” vijon të thellojë degradimin e arsimit duke urdhëruar në mënyrë të paligjshme drejtorët dhe mësuesit patronazhistë të shkollave t’u shpërndajnë një formular të gjithë prindërve të nxënënsve ku kërkohen të dhëna për të plotësuar databazën e PS.
Ky formular, gjoja në emër të ndërtimit të hartës sociale, nuk është gjë tjetër veçse ndërtimi i hartën elektorale të patronazhistëve duke keqpërdorur institucionet arsimore dhe misionin e mësuesit.
Ky krim elektoral që po konsumohet në shumicën e shkollave të Tiranës meriton të hetohet urgjentisht, por sigurisht që SPAK të tilla krime intelektuale i amniston dhe bën sikur nuk i sheh pasi qartësisht vijon misionin antikushtetues, të paligjshëm dhe banditeks për t’i garantuar me çdo çmim Edi RAmës edhe një mandat tjetër 4 vjeçar në kurriz në shqiptarëve, në këmbim të një mandati të përjetshëm për Altin Dumanin dhe prokurorët banditë të SPAK.
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar sepse ne besojmë se investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë është investimi në arsim, si zgjidhja më e mirë për të ndalur shpopullimin.
Partia e Lirisë ka mision dyfishim të buxhetit për arsimin, kërkimin shkencor dhe inovacionin dhe që niveli i buxhetimit për arsimin dhe inovacionin të jetë mbi mesataren e vendeve te BE.
Partia e Lirisë ofron zgjidhje konkrete për të përmirësuar rrënjësisht gjendjen e Arsimit në Shqipëri:
. Miratimin e një ligji për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB.
. Dyfishimin e pagave të mësuesve për të arritur nivelin e mesatares së rajonit.
. Inovacioni do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Europian.
. Ligjet kryesore të arsimit do të miratohen me shumicë të cilësuar në Kuvend, përfshi strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore.
. Mësuesia dhe shkenca do të konsiderohen degë prioritare dhe do të mbështeten financiarisht.
. Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit.
. Arsimi Profesional do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit.
. Do të reformojmë kurrikulat me ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik.
. Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit europian.
. Sigurimi i detyrueshëm i jetës në çerdhe, kopshte dhe shkolla për çdo fëmijë.
Mbështetja e duhur financiare për arsimin ndalon shpopullimin dhe garanton Shqipërinë fuqi eksportuese.